English

Kryeministri Berisha: E djathta do t'i fitojë zgjedhjet parlamentare të qershorit

Varshavë, 30 Prill NOA - "Ne do t'i fitojmë zgjedhjet, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se të votosh majtas do të thotë të votosh për muret e krimit e korrupsionit. Ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte që shndërrohen në realitet".

Kështu deklaroi para pak minutash Kryeministri Sali Berisha i cili mbajti një fjalë në seancën e Kongresit të Partive Popullore Evropiane, në Varshavë të Polonisë.

Berisha tha se Kongresi i EPP-së, që është një ngjarje shumë e madhe dhe levë shumë e fuqishme për një fitore të re të ardhshme të Partive Popullore në mbarë Evropën, në interesin më të mirë të Evropës".

"Ne mblidhemi sot në një vit që shënon 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ngjarjes më të madhe në historinë e qytetërimit tonë, në historinë e lirisë së njerëzimit, pas Luftës së Dytë botërore", - vijoi Berisha.

Ai më tej u ndal në zhvillimet në Shqipëri: "Katër vite më parë unë ri-erdha në pushtet. Kombi im po përballej me disa mure shumë të vështira që qëndronin para tij, mure të cilat pothuajse po i mbyllnin dyert projektit të tij ëndërr, muri i krimit të organizuar, muri i korrupsionit", - tha Berisha.

Ai shtoi se u angazhua para qytetarëve se do ta luftonte me tolerancë zero krimin e organizuar dhe do ta çmontonte atë mur dhe pohoi se "kështu bëra".

Nën duartrokitjet e të pranishmëve Berisha shtoi se "në 16 muaj ne çmontuam 206 grupe kriminale dhe arrestuam mbi 1000 anëtarë dhe bosë të këtyre organizatave dhe sot vendi im ka treguesit e kriminalitetit më të ulët se mesatarja juaj. Vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga 2.7 milionë turistë të huaj nga vendet tuaja në siguri të plotë. Shqipëria është një vend i sigurt".

Duke folur më tej, kryeministri tha se muri i dytë ishte korrupsioni, u zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoj korrupsionin me zero tolerancë.

"Shqipëria, që ishte në 24 vendet më të korruptuara, vitin e kaluar la mbrapa 95 vende dhe është duke u përmirësuar. Ne nxorëm administratën publike jashtë konfliktit të interesit, nxorëm një ligj për të mbrojtur informantët kundër korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblejmë ata me 6 % të vlerës që sjellin. Ne realizuam prokurimet elektronike, taksat elektronike, doganat elektronike", - tha Berisha.

Më tej ai u ndal në rezultatet e arritura: "Ne shkurtuam 1 % shpenzimet operative  të administratës, kursyem në prokurime 0.5 miliardë euro, duke luftuar korrupsionin në dogana, taksa dhe tatime dhe duke ulur taksat, kemi arritur në tre vjet të kemi 3 miliardë euro më shumë se qeveria e mëparshme".

Duke pohuar se korrupsioni është një kancer që duhet luftuar çdo ditë ai tha se "ne jemi shumë të vendosur ta luftojmë atë".

Në këtë pikë Berisha evidentoi se po shkojmë drejt zgjedhjeve në qershor dhe bëri këtu një premtim solemn për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

"Dhe do ta mbaj këtë premtim, me gjithë përkushtimin tim. Dhe ju ftoj ju, partive të PPE, të dërgoni vëzhgues, sepse shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të lënë mbrapa grindjet për zgjedhjet", - theksoi kryeministri.

Ndërsa përfundoi me deklaratën: "Por gjithashtu, ndonëse jam i vendosur për të pranuar dhe respektuar çdo verdikt të kombit tim, kam kënaqësinë t'ju informoj se ne do t'i fitojmë këto zgjedhje, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se të votosh majtas do të thotë të votosh për mure dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që, me ndihmën tuaj, do të shndërrohen në realitet përsëri".

e.l/NOA

KOMENTE