Uashington, 30 prill, NOA - Administrata e drejtuar nga presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka patur një fillim të mirë, por vetë Barak Obama nuk ndihet i kënaqur, pasi qytetarët e vendit të tij ende po përballen me vështirësi ekonomike.
Një fakt të tillë ai e ka pohuar në konferencën për shtyp që ka mbajtur me rastin e 100-ditëshit të parë në detyrën e kreut të shtetit amerikan, që pas mbarimit të mandatit të ish-presidentit Xhorxh Bush.
Presidenti tha se një ndër të papriturat më të mëdha për të ka qenë numri i pazakontë i problemeve që u shfaqën në të njëjtën kohë sa mori në dorë shtetin, mjafton të kujtojmë edhe faktin tjetër që me fillimin e 100 ditëve të dyta, ai përballet me një sfidë tjetër: emergjenca kombëtare e gripit, e cila është e para e këtij lloji për presidencën e tij.
Ndërkaq, lidhur me çështjet e tjera, Presidenti Obama tha se administrata e tij po vëzhgon me kujdes rastet e reja të gripit të derrave dhe se gjendja është mjaft serioze.
Gjithsesi, ai shtoi se kjo sëmundje është shkak për shqetësim të thellë, por jo për të përhapur panik.
"Tani për tani nuk ekziston nevoja për të mbyllur kufirin me Meksikën. Shtetet e Bashkuara, kanë shtuar përpjekjet për kontrollet në kufi dhe kanë dërguar atje pajisjet e duhura", u shpreh ai. Ndërsa, lidhur me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Â presidenti Obama nuk la pa përmendur fatin e mbylljes së bazës ushtarake të Guantanmos si edhe dhënien fund të luftës në Irak, dy vendime të rëndësishme këto të ndërmarra gjatë 100 ditëve të tij të para në detyrë si president i SHBA-ve.
Duke folur për shtimin e dhunës në Irak, Presidenti Obama tha se kjo nuk do të ndikojë mbi planet e tij për tërheqjen e trupave amerikane sipas parashikimit.
Gjithsesi, preokupimi kryesor i Obamës dukej të ishte ai i mirëqënies së qytetarëve të tij, për të cilët u shpreh me shqetësim se miliona prej tyre janë ende pa punë dhe pa shtëpi dhe se të tjerë do t'i humbasin ato para se të përfundojë recesioni.
n.e/NOA