Tiranë, 30 prill, NOA - Partia Socialiste ka dalë sot me një deklaratë publike përmes së cilës ka sqaruar se përse centrali bërthamor nuk mund të ndërtohet në Shqipëri.
"Nisur nga sensibilitetet e opinionit publik, pohojmë edhe njëherë se deklaratat e vazhdueshme të zotit Berisha që prej një viti se do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi energjitike përfshirë dhe atë atomike janë deliri i tij i radhës", tha lidhur me një fakt të tillë, sekretari për Mjedisin në selinë rozë, Besnik Baraj
Sipas tij, ka shumë arsye që e bëjnë të pamundur ëndrrën nukleare të Berishës, meqë vendi ynë nuk ofron shumë kushte.
"Shqipëria shtrihet në atë brez të globit që ka sizmikë të lartë, ajo nuk ofron lëndë të parë për të qenë atraktiv, pra mineral uraniumi. Sot në Shqipëri s'ka burime njerëzore profesionale të kualifikuara për të menaxhuar impiante të tilla. Instituti i Fizikës Bërthamore falë edhe politikave të Berishës është drejt zhdukjes dhe degradimit të plotë pas rikompozimit që i bëri Akademisë së Shkencave", ishin disa nga arsyet që përmendi Baraj.
Duke shtuar edhe faktin se Shqipëria nuk ofron burime financiare, por as konsensus politik dhe atë të publikut, për ta realizuar një projekt të tillë.
n.e/NOA