English

PDK i merr PD-së, kryetarin e Këshillit Bashkiak të Lezhës

Frano Kulli zgjidhet kryetar i ri i Këshillit Bashkiak të qytetit. Grupi i këshilltarëve të djathtë dhe aleatët e PD, votojnë Frano Kullin. Votojnë për PDK-në këshilltarët republikanë dhe ata agrarë

Lezhë, 30 prill NOA - Në mbledhjen e saj Këshilli Bashkiak i qytetit të Lezhës ka shkarkuar nga posti i kryetares së këshillit bashkiak zonjën Roza Hila, përfaqësuese e PD-së dhe ka zgjedhur në vend të saj, këshilltarin demokristian Frano Kulli.

Pas shumë debateve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, grupi i këshilltareve te "Polit të Lirisë", të cilit i janë bashkuar dhe këshilltari i PR-së dhe ai i PAA-së kanë paraqitur një mocion për shkarkimin e kryetares së këshillit bashkiak Rosa Hila përfaqësuese e Partisë Demokratike. Mocionin e kishin nënshkruar 9 anëtarë të Këshillit bashkiak, nga të cilët pesë këshilltarë të djathtë dhe një këshilltar i pavarur.

Sipas rregullores mocioni për shkarkimin e kryetares së Këshillit Bashkiak, përfaqësuese të PD-së, është futur në procesin e votimit.

Këshilli Bashkiak ka shkarkuar me shumicë votash kryetaren e këshillit, përfaqësuese e PD-së dhe menjëherë ka filluar procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të Këshillit Bashkiak të Qytetit të Lezhës.

Pas numërimit të votave, ka rezultuar se kandidatura e Frano Kullit, e propozuar nga këshilltarët e djathtë ka marrë 14 vota. Me votat e këshilltarëve të partive pjesëmarrëse në "Polin e Lirisë" janë bashkuar edhe votat e këshilltarit të Partisë Republikane dhe vota e këshilltarit të Partisë Agrare Ambientaliste, parti këto në koalicion me PD-në si dhe vota e kandidatit të pavarur.

Votimi i djeshëm në Këshillin Bashkiak të Lezhës, për PDK tregoi se "Poli i Lirisë" po fiton një mbështetje gjithnjë e më të gjerë në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit dhe këtij grupimi politik, po i bashkohen çdo ditë me dhjetëra eksponentë dhe mbështetës tradicional të së djathtës dhe të qendrës së djathtë, "si e vetmja shpresë për krijimin e një të djathte moderne që përfaqëson denjësisht interesat e qytetarëve".

Frano Kulli, Kryetari i i ri i Këshillit Bashkiak te Lezhës, është një nga personalitetet e njohur publikë në Lezhë.

Ai ka qene për pesë vjet anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, dhe në korrik të vitit 2006 u zgjodh anëtar i KKRT-së dhe nënkryetar i këtij këshilli.

Frano Kulli i largua nga KKRT nëpërmjet një votimi në parlament të urdhëruar nga PD-ja sepse disa here kishte kundërshtuar gjobat politike ndaj disa televizioneve opozitarë me qeverinë.

e.l/NOA

KOMENTE