INTERVISTA/ Zëvendës-shefi i EULEX (Misioni evropian për drejtësi dhe polici në Kosovë) thotë se Beogradi zyrtar ka një ndikim në veriun e Kosovës dhe se është inkurajues fakti që incidentet janë dënuar nga vetë zyrtarët serbë.
Z.Reeve, përveç përdorimit të gazit lotsjellës për të shpërndarë turmat protestuese, a ka misioni i EULEX-it një strategji të daljes nga situata e krijuar në veri?
- Më lejoni ta qartësoj se çfarë po bënte policia e EULEX-it. Sikundër e thatë, janë një grup familjesh shqiptare që duan të rindërtojnë shtëpitë e tyre, në veri të lumit Ibër, në pjesën ku kanë pasur pronat para luftës. Roli ynë është ruajtja e rendit publik dhe e drejta e qytetarëve për kthim të lirë. Ne jemi vija e dytë e reagimit. Në vijën e parë janë pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës dhe nëse protesta ose demonstrata kalon kontrollin e tyre atëherë është puna jonë që të futemi dhe të shohim nëse mund të ndihmojmë dhe të mbajnë nën kontroll situatën. Gjatë kësaj jave janë hedhur granata dore në drejtim të tyre dhe ato kanë shpërthyer 20 metra larg tyre dhe kishte të shtëna në drejtim të tyre, në kohën kur protestuesit kaluan vijën e policëve serbë të Kosovës dhe u drejtuan drejt punëtorëve që po punonin në rindërtim. Ne jemi aty për t'i mbrojtur ata. Si kundërpërgjigje ne kemi përdorur gaz lotsjellës me qëllim të parandalimit të tyre për t'u afruar, por nuk kemi përdorur asnjë mjet të rrezikshëm për t'i shpërndarë ata.
Prandaj mendoj se kishim një balancë, sepse po përpiqeshim që t'i prandalojmë ata të afrohen dhe të pengojnë punën e ligjshme që po zhvillohej. Nuk është punë jona që të negociojmë një zgjidhje ndërmjet komuniteteve, por ne iI inkurajojmë ata që të bisedojnë mes tyre, për të parë nëse ka një të ardhme për shqiptarët që të kthehen në veri të Mitrovicës dhe si përgjigje ndaj kësaj të ketë një kthim të serbëve në fshatrat e tyre në jug të Mitrovicës. Ne kemi ndihmuar vizitën e qytetarëve të Zveçanit nga veriu në jug javën e kaluar, për të parë rajonin ku kanë jetuar më parë. Ne po provojmë të inkurajojmë këtë proces të kthimit të ndërsjellë. Por në thelb kjo nuk është puna jonë, meqë jemi një mision i rendit dhe ligjit mirëpo ne po i inkurajojmë të tjerët, aktorët, ndihmësit, negociuesit. Ambasadorët britanik, italian dhe rus ishin në këtë pjesë javën e kaluar dhe ata do të vazhdojnë diskutimet nëse do të ketë një mënyrë për të negociuar rrugën përpara. Por ndërkohë, ne do të ruajmë paqen dhe do të pengojmë grupet e vogla dhe protestuesit e dhunshëm që të pengojnë punën që po vazhdon.
Ju i quani ata grupe të vogla, por mund të rriten një ditë nëse rastësisht do të ketë përplasje mes grupeve etnike?
- Gjithnjë ekziston një rrezik i tillë në këtë shoqëri, për fat të keq ende të ndarë, dhe kjo mund të ndodhë. Ne do të ruajmë rendin në nivelin më të lartë që mundemi. Prapa nesh është KFOR-i. Nëse do të ketë një përplasje serioze ndëretnike, me përdorim të armëve, të cilat policët nuk janë të trajnuar t'i përdorin, atëherë ne do t'i kalojmë përgjegjësinë KFOR-it, meqë është punë e tyre të mbajnë një mjedis të qetë dhe të sigurt. Ne shpresojmë se nuk do të shkojmë aq larg. Atë që po shohim tani janë grupe të vogla të të rinjve që janë përgjegjës për pjesën më të madhe të dhunës. Ata janë që po hedhin gurë, granata dhe, nga diskutimet tona me qytetarët e tjerë në atë pjesë, me serbët atje, mendoj se ka pakënaqësi me mënyrën se si është përshkallëzuar gjendja gjatë ditëve të kaluara. Ne duam që gjërat të zgjidhen përmes bisedimeve dhe po përdorim të gjitha burimet që të provojmë të inkurajojmë njerëzit të bisedojnë.
 Ju e vlerësoni këtë të jetë më tepër një çështje politike se sa policore?
- Mendoj se një pjesë e problemit me të cilin përballemi kur diskutojmë për veriun dhe Mitrovicën e veriut, është se për shumë vite nuk ka patur rend dhe ligj në këtë pjesë. Nuk ka patur një polici efektive, nuk ka patur një gjyqësi efektive. Pikat doganore kanë mbetur të zbrazta. Mendoj se çfarëdo përpjekje për të vendosur rendin dhe ligjin në veri do të kundërshtohet. Mund të mos jetë politike, por mund të ketë elemente të fuqishme kriminale, sepse është çështje e kontrabandës, krimit të organizuar, të bandave atje, që bashkëpunojnë shumë mirë me bandat shqiptare dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me një etnitet. Por mendoj se kjo është një pjesë që për një kohë të gjatë nuk ka patur një sistem operacional të rendit dhe ligjit dhe çfarëdo përpjekje për të vendosur rend dhe qetësinë mendoj se do të kundërshtohet.
 Dhe ju besoni se do të keni sukses misioni tuaj?
- Kjo është ajo që po provojmë të bëjmë. Nuk mund të garantoj, por ky është qëllimi ynë.
 A e keni shqyrtuar mundësinë që protestat mund të shkaktojnë tensione më të larta, që mund të destabilizojnë këtë pjesë të Kosovës?
- Ne jemi gjithnjë të vetëdijshëm se protestat e shkallëve të ulta, kanë një traditë në Kosovë që papritmas të shpërthejnë në një dhunë të madhe. Normalisht nuk zgjasin shumë. Kishim një zhvillim kur u shkatërruan pikat kufitare vitin e kaluar, dhe demonstratat përreth gjykatës vitin e kaluar. Ato duket se janë ngajrje të veçuara, dhe dërgojnë sinjale, dhe nuk destabilizojnë në të vërtetë. Nëse bisedoni me shumicën e popullatës në veri, ata shumë më tepër do të donin një mjedis të qetë dhe paqësor. Çështjet që janë atje, dhe të gjithë i dimë se cilat janë ato që duhet të diskutohen, mund të zgjidhen në një mënyrë të civilizuar dhe konstruktive dhe jo me përdorim të dhunës. Askush nuk do të që të ecim kësaj rruge.
 Mendoni se mund të ndihmoni në vendosjen e një dialogu mes Prishtinës dhe veriut të Kosovës, e pse jo edhe Beogradit, për të shtendosur situatën?
- E tëra që mund të bëjmë, është ashtu siç thashë. Nuk është roli ynë të ndërmjetësojmë në këto gjëra, por të inkurajojmë ata që kanë kundërshtime dhe që kanë kredibilitet që të ulen e të diskutojnë. Në këtë kontekst ishte edhe vizita e tre ambasadorëve, ka diskutime ndërmjet zyrtarëve lokalë dhe ne duam të inkurajojmë këtë dhe të shohim që kjo po zhvillohet në një mënyrë konstruktive.
 A ka Beogradi një rol në këtë situatë, në qetësimin e situatës?
- Beogradi ka një ndikim në veri dhe ju e keni parë deklaratën e ministrit Bogdanoviq që e ka dënuar dhunën dhe kjo është një lëvizje e dobishme. Ne duhet ta duartrokasim këtë dhe duhet ta përforcojmë këtë porosi. Ka mënyra për ta zgjidhur këtë pa hedhur granata ose pa shtënë në njerëz.
 Ju keni njerëzit tuaj në veri, keni edhe doganierët përveç policisë. A mendoni se mund të rrisni numrin e tyre për të ruajtur rendin dhe ligjin?
- Nuk do ta rrisim shumë sepse nuk është puna jonë që të zëvendësojmë misionin e OKB-së këtu, që të kemi një rol ekzekutiv në polici dhe gjyqësi. Por ajo që po provojmë të bëjmë, përmes misionit, është të ndërtojmë kapacitet lokale dhe të punojmë me policët dhe gjykatësit lokalë. Ne kemi vëmë aq sa na duhen njerëz atje, por asnjëherë nuk ishte qëllim ynë që të patrullojmë në rrugët e Mitrovicës ose të Zveçanit apo në Leposaviq. Kjo nuk detyra jonë. Ne do të punojmë përkrah policëve dhe gjykatësve e prokurorëve lokalë atje. Ne kemi kapacitete që të përdorim njësitë kundër trazirave nëse situata zhvillohet dhe ka nevojë që ata të shkojnë atje dhe të vendosin rendin dhe qetësinë. Ne jemi prapa, por vija e parë janë policët e SHPK-së dhe ne do t'i mbështesim ata çdo herë.
 Të mbështesni institucionet kosovare në veri apo cilat?
- Ne aktualisht po punojmë me policët serbë të Kosovës që ende janë në stacionet në veri dhe ne kemi njerëzit tanë atje që po punojnë krah për krah me ta.
 A janë ato institucione të Kosovës?
Ata raportojnë përmes nesh dhe pastaj ne raportojmë në komandën e Policisë së Kosovës. Ky është një sistem për të cilin po diskutohet dhe shpresoj se do të gjejmë një zgjidhje për këtë shumë shpejt.
BBC