Tiranë, 30 prill NOA - Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, e shqetësuar për situatën e rëndë të krijuar pas incidenteve në fushën e stadiumit të Peqinit, në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë shprehu sot qëndrimin e saj.
Shoqata tha se dënon ashpër, dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarëve anësorë italianë Xhonantonio Puxhioto e Xhanluka Kaçialdo, në ndeshjen me Shkumbinit dhe Flamurtarit.
Kurse theksoi se kërkon që në të gjitha fushat e futbollit shqiptar, të respektohet figura e gjyqtarit pa të cilën loja e mrekullueshme e futbollit nuk do të ishte një aktivitet normal dhe i këndshëm.
"Ne po ashtu, kërkojmë nga Komisionet përkatëse, ndëshkimin e autorëve të tyre dhe konfirmon se nuk do të gjykojë në fusha apo stadiume ku nuk sigurohet rendi dhe paprekshmëria e arbitrave", - nënvizoi Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Shqipërisë.
Sakaq ajo i bën thirrje të gjithë faktorëve që kanë lidhje me futbollin të përkrahin lojën e ndershme dhe të mos prishin bukurinë e saj.
Në këtë pikë, Shoqata thotë se "i kërkon ndjesë gjyqtarëve italianë, që erdhën në Shqipëri si miq por nuk u trajtuan sit të tillë, në fushën e stadiumit të Peqinit", ndërsa falënderon treshen italiane Gabriele Gava, Xhonantonio Puxhioto e Xhanluka Kaçialdo.
a.k/NOA