English

Sondazhi i SHBA në Shqipëri, qytetarët pesimistë për gjendjen ekonomike

Tiranë, 30 prill NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës evidentojnë faktin se perceptimi mbi korrupsionin në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Kurse citon qytetarët shqiptarë në Sondazhin mbi Perceptimet dhe Përvojën me Korrupsionin, financuar nga USAID të pohojnë se gjendja ekonomike është e keqe dhe shumë e keqe.

Vlerësimi i Ekonomisë

Më shumë se gjysma e të intervistuarve (54.4%) mendojnë se gjendja ekonomike e vendit është "E keqe" ose "Shumë e keqe".

Optimizmi ekonomik, i vlerësuar nga opinionet e të intervistuarve mbi situatën ekonomike për vitin e ardhshëm është pak më i lartë se në vitin 2008 por shumë larg prej niveleve të viteve 2005 dhe 2006.

Një në katër të intervistuar u përgjigj se është pesimist mbi gjendjen ekonomike të vendit në vitin e ardhshëm.

Korrupsioni

Të dhënat e ofruara për agjencinë e lajmeve NOA nga USAID dhe ambasada amerikane, evidentojnë se "nga 20 grupe/institucione të vlerësuara në sondazhin e publikut të gjerë në 2009, 14 prej tyre konsiderohen si më shumë të korruptuara sesa të ndershme".

"Vetëm 6 prej tyre kanë marrë më pak se 50 pikë në shkallën e vlerësimit nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë "Shumë i ndershëm" dhe 100 do të thotë "Shumë i korruptuar", - vërehet në raport.

Drejtuesit fetarë, Presidenti, media, ushtarakët, mësuesit e shkollave publike dhe drejtuesit e OJF-ve shihen si më pak të korruptuarit.

Doganierët, tatimorët, ministrat, parlamentarët dhe doktorët janë vlerësuar si më të korruptuarit.

Pothuajse gjysma e kampionit të publikut të gjerë (48.5%) mendon se korrupsioni është rritur krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që 38% mendojnë se ai ka mbetur i njëjtë.

Në lidhje me përvojat me korrupsionin: Në përgjithësi, përvoja me transaksionet korruptive ka rënë që nga viti 2005.

Nga 10 mënyra përmes të cilave një individ mund të jetë pre e korrupsionit, në vitin 2009, numri mesatar i mënyrave të viktimizimit është mesatarisht 1.29 mënyra, nga 1.7 që ka qenë në vitin 2005.

Nga dhjetë skenarët e paraqitur, përqindja e njerëzve të cilët deklarojnë se kanë pasur të paktën një përvojë korruptive ka rënë nga 66.5% në 2005 në 57.1% në 2009.

Shëndetësia përfaqëson sektorin më të përmendur për korrupsion. 37.1% e të intervistuarve pohojnë se i kanë paguar ryshfet një doktori ose infermieri gjatë vitit të kaluar.

Lufta kundër korrupsionit

Raporti evidenton se përgjithësisht, publiku shqiptar mendon se institucionet nuk janë duke bërë mjaftueshëm kundër korrupsionit.

Në një shkallë nga 0-100, ku 0 do të thotë "Nuk ndihmon aspak" dhe 100 do të thotë "Ndihmon shumë", të nëntë institucionet e vlerësuara kanë një mesatare të përbashkët prej 43.8 pikësh.

Vetëm media shihet nga publiku sikur po ndihmon në luftën kundër korrupsionit, e vlerësuar me 63.6 pikë, ndërkohë që të gjitha institucionet e tjera janë vlerësuar me më pak se 50 pikë.

Institucionet të cilat, në sytë e publikut, shihen si ato që ndihmojnë më pak në luftën kundër korrupsionit janë drejtuesit fetarë, Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe qeveria.

Gjykatat dhe Prokuroria e Përgjithshme tregojnë një përmirësim që nga viti 2005, përkatësisht me 5 dhe 6 pikë. Gjithsesi, këto dy institucione vazhdojnë të mbeten të vlerësuara me më pak se 50 pikë.

Besimi

Besimi i shqiptarëve në institucione vazhdon të mbetet i ulët. Mesatarisht, niveli i besimit për 15 institucionet e paraqitura është 44.3 pikë, në një shkallë nga 0-100 ku 0 do të thotë "Aspak besim" dhe 100 do të thotë "Shumë besim".

Edhe në kampionin e punonjësve të sektorit publik, vlerësimi mesatar mbi besimin në institucione është nën mesin e shkallës së vlerësimit (48.8 pikë).

Transparenca Publiku i percepton institucionet si jo-transparente. Asnjë nga institucionet e vlerësuara nuk ka marrë më shumë se 50 pikë në shkallën nga 0-100, ku 0 do të thotë "Aspak transparent" dhe 100 do të thotë "Shumë transparent".

Sipas publikut të gjerë, institucioni më transparent është pushteti vendor me 40.3 pikë. Institucioni më pak transparent dhe i vlerësuar me 27.2 pikë është Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Kuptimi i dukurisë së korrupsionit

Kur gjykojnë të dy palët e përfshira në një transaksion korruptiv, shqiptarët tregohen më tolerantë kundrejt "dhënësve" të ryshfetit dhe më të ashpër kundrejt "marrësve".

Një nxënës i cili i jep një këmishë mësuesit të tij me shpresën se do të marrë një notë më të mirë është vlerësuar ose i pa korruptuar (35.4%) ose i justifikuar (34.7%).

Gjithashtu edhe një nënë e cila paguan 500 Lek për të shmangur radhën për marrjen e një çertifikate për fëmijët e saj shihet si jo e korruptuar (26.3%) ose gjerësisht e justifikuar (43.4%).

Sipas raportit amerikan, ka një prirje nga ana e publikut shqiptar që të përfshijë në konceptin e "korrupsionit" edhe dukuri të cilat nuk janë të tilla.

Pyetur për rastin e një shitësi lulesh i cili rrit çmimin e luleve gjatë një dite feste, pothuajse gjysma e të intervistuarve e shohin shitësin si të korruptuar dhe që duhet ndëshkuar.

Megjithëse ky kuptim i gabuar mund të ndikojë në një mbivlerësim të përgjithshëm të korrupsionit të perceptuar, analizat tregojnë se ndikimi i këtij kuptimi të gabuar është i vogël në vlerësimin e përgjithshëm të grupeve ose institucioneve.

Sistemi gjyqësor

Plot 46.6% e të intervistuarve kanë "Shumë" ose "Disi" besim në sistemin gjyqësor. Ky është një përmirësim prej 12 pikë përqindje nga viti 2005 kur 34.6% e të intervistuarve kishin këtë mendim.

Pothuajse tre të katërtat e qytetarëve të cilët kanë pasur të bëjnë me gjykatat kanë deklaruar se janë trajtuar "Mirë" ose "Shumë mirë" prej tyre. Ky është një përmirësim i dukshëm me pothuajse 15 pikë përqindje që nga viti 2005.

***

Rreth sondazhit

Sondazhi mbi Perceptimet dhe Përvojën me Korrupsionin, është financuar nga USAID dhe në të kanë marrë pjesë gjatë vitit në vazhdim, 1194 persona mbi 18 vjeç. Ndër ta, 596 vetë i përkasin sektorit publik.

e.l/NOA

KOMENTE