English

Dita e 1 Majit, në botë nisin protestat e para, Shqipëria gjendet në festë

Tiranë, 1 maj, NOA - 1Maji, Dita e Punëtorëve, në të gjithë botën konsiderohet si dita e një reflektimi kolektiv ndaj situatës së të drejtave social-ekonomike të punonjësve, e cila pasohet në realitet me protesta të mëdha për të kërkuar të drejtat e munguara të tyre.

Por në Shqipëri duket se nuk konsiderohet aspak e tillë, që kur njerëzit e quajnë si një ditë feste, e cila duhet kaluar më së miri, duke pushuar dhe u argëtuar.

Pritet që kriza ekonomike globale pritet të nxisë një pjesëmarrje shumë të madhe në manifestimet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, e cila tradicionalisht përkujtohet me protesta të sindikatave të punëtorëve në shumë qytete evropiane.

Që në orët e para të mëngjesit nëpër botë kanë shpërthyer protestat e para, gjë që nuk po ndodh në kryeqytetin shqiptar.

Mësohet se në kuadrin e manifestimeve sot për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, protesta të mëdha janë zhvilluar në Berlin dhe Hamburg të Gjermanisë, të cilat janë shoqëruar me plagosjen e dhjetëra policëve, bënë të ditur burime zyrtare. Policia berlineze njoftoi se 29 efektivë të forcave të rendit u lënduan dhe të paktën 12 manifestues u arrestuan, pasi afro 200 protestues me slogane antikapitaliste sulmuan policinë me shishe, gurë dhe mjete të tjera të forta, kurse në Hamburg, autoritetet deklaruan se të paktën tre policë janë lënduar gjatë përleshjeve me demonstruesit.

Ndërkaq, janë paralajmëruar protesta të fuqishme në Madrid dhe në Paris.

Si lindi dita e 1 Majit?

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Në tetorin e vitit 1884 Federata e Sindikatave të organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-ës si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë. 1 maji i vitit 1886 ra ditë shtunë, atëherë ditë pune, por në 12 mijë fabrika të SHBA-ve, rreth 400 mijë punëtorë bënë grevë. Vetëm në Çikago numri arriti 80 mijë vetë. Fillimisht manifestimet u zhvilluan paqësisht, por policia hapi zjarr, duke shkaktuar katër viktima. Një protestë tjetër e punëtorëve u lajmërua për të nesërmen, 4 maj. Policia hodhi një bombë kundër oratorëve, duke shkaktuar 8 të vdekur e shumë të plagosur. Të nesërmen, në Miluoki, policët qëlluan sërish kundër manifestuesve (punëtorë polakë), duke vrarë 9 prej tyre. Vala represive goditi ashpër organizatat sindikaliste dhe politike të punëtorëve. Selitë e tyre u mbyllën e drejtuesit u arrestuan. Për ngjarjet e Çikagos u dënuan me vdekje pa asnjë provë tetë eksponentë anarkikë. Dy vetëve dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm, njëri prej tyre u gjet i vdekur në qeli, të tjerët u varën në burg më 11 nëntor 1887. Kështu 1 Maji, i caktuar që më parë si ditë për punëtorët, mori një kuptim të ri dhe u bë simbol i luftës për 8 orëshin e punës. n.e/NOA

KOMENTE