Tiranë, 1 maj NOA - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, dolën sot sërish para medieve, siç pohuan, në vijim të transparencës se plotë lidhur me "Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse te shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".
Zyrtarët e dy dikastereve thanën se me keqardhje konstatojnë se nga ndonjë media vazhdon keqinformimi i qëllimshëm dhe abuziv mbi këtë çështje.
"Ky abuzim i hapur me qëllime qartësisht dashakeqëse ndaj interesave tona kombëtare bëhet duke shtrembëruar faktet dhe të dhënat mbi sistemet që përdoren në hartat detare dhe për rrjedhojë hamendësohen skenarë fantazmikë të cedimit të hapësirave detare", - thuhet në qëndrimin e dy ministrive.
Ata theksojnë se përcaktimi i koordinatave gjeografike është bërë mbi bazën e sistemit ndërkombëtar gjeodetik WGS 84, sistem botëror i koordinatave.
"Parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare është ai i baraslargësisë, d. m. th përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare", - thuhet në qëndrimin e dy ministrive.
Ata sigurojnë se çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër. Shqipëria nuk ka dhënë dhe as ka marrë asnjë milimetër katror të hapësirës së saj territoriale si rezultat i kësaj marrëveshje.
Kurse detajojnë: "Gjatë gjithë përgatitjes dhe negocimit të kësaj marrëveshje pala shqiptare ka përdorur dhe është bazuar vetëm në hartat shqiptare të prodhuara nga Instituti Gjeografik i Forcave të Armatosura, Tiranë. Çdo pretendim i kundërt është një shpifje e pastër".
Sipas MPJ dhe MM, pas përfundimit të marrëveshjes, palët kanë vënë në dispozicion të njëra tjetrës hartat e përdoruara për të nxjerrë koordinatat.
Marrëveshja me koordinatat përkatëse i janë bërë të njohura dhe i janë vënë në dispozicion mediave me transparencën maksimale.
Në këtë kuadër Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, "denoncojnë edhe njëherë trillimet dhe gënjeshtrat e publikuara si të orientuara drejt dezinformimit të opinionit publik kundër interesave kombëtare të Shqipërisë".
e.l/NOA