English

PDK, Beja: Marrëveshja për kufijtë detarë me Greqinë, jo transparente

Tiranë 1 maj NOA - Partia Demokristiane e Shqipërisë ka reaguar sot në lidhje me marrëveshje me Greqinë për ndarjen e kufirit detar, duke e quajtur marrëveshjen jo transparente, e të nxituar.

"PDK gjykon se marrëveshja për kufijtë detar me fqinjin tonë Greqinë, nuk duhej nënshkruar, përpara se ajo të bëhej transparente në detajet e saj kryesore. Ajo duhej te shqyrtohej në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, ku të raportohej me hollësi nga Komisioni i Eksperteve, për metodologjinë e zgjedhur, hartat dhe teknologjinë e përdorur, për matjet e kryera" u shpreh nënkryetari i PDK-së Vladimir Beja.

"PDK i kërkon Presidentit të Republikës, si garant i Kushtetutës të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të marrë në analizë marrëveshjen e nënshkruar nga Ministrat e Jashtëm respektive, Basha- Bakojanis, dhe të shqyrtojë ligjshmërinë e kësaj marrëveshjeje dhe të verifikojë nëse është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë" deklaroi më tej Beja.

Sipas tij PDK i bën thirrje Parlamentit Shqiptar të mos ta ratifikojë këtë marrëveshje të nxituar dhe të dyshimtë, pa u zbardhur hollësitë dhe formalitetet e domosdoshme në raste të tilla.

"Si shqiptar dhe si politikanë ne jemi shumë të shqetësuar nga sjelljet servile të disa politikanëve në maxhorancë dhe në opozitë, të cilët për hir të interesave të tyre personale shesin gjithçka, pa përjashtuar dhe vetë atdheun e tyre, ndaj kërkojmë që qytetarët të ndëshkojnë me votën e tyre këtë racë servile politikanesh që mban peng të ardhmen tonë" përfundoi Beja.

k.k/NOA

KOMENTE