English

Specialistët e pandemisë: Situata në Shqipëri jo për t'u shqetësuar. Gripi i derrit, një virus sezonal

Tiranë, 1 maj, NOA - Situata e vendit tonë mbi rrezikshmërinë e prekjes nga gripi i derrit nuk është për t'u shqetësuar. Ky ka qenë përfundimi në të cilën specialistët e shëndetësisë kanë arritur pas një takimi që zhvilluan mbi rrezikun e një pandemie.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, mësohet se pas këtij takimi, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ka deklaruar se po merren masa për parandalimin e virusit në Shqipëri dhe nuk duhet të krijohet panik.

"Gripi ka impaktin e një virusi sezonal dhe vala e dytë e këtij gripi do të shfaqet sërish nga muaji shtator", thotë Ylli.

Ndër të tjera, ai sqaron se nga ekipet shëndetësore po punohet për nxjerrjen e vaksinës kundër gripit të derrit, por duhet ende kohë për stokun e parë.

Tamiflu do të jetë e vlefshme edhe për dy vjet të tjera për kurimin e kësaj sëmundje dhe ka kapacitet për kurimin e 3000 personave.

Sipas të dhënave më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, deri më sot numri i konfirmuar zyrtarisht i rasteve të infektuara me një virus të ri të gripit është gjithësej 331 persona në 11 vende të botës, ndërkohë virusi i rrezikshëm ka shkaktuar 12 të vdekur. Vendet e tjera ku janë konfirmuar zyrtarisht rastet e infektimeve janë: Austria (1), Kanadaja (34), Gjermania (3), Izraeli (2), Holanda (1), Zelanda e Re (3), Spanja (13), Zvicra (1) dhe Britania e Madhe (8).

n.e/NOA

KOMENTE