English

Zëvendëspresidenti i KE, Barrot: Jeni në rrugë të mbarë drejt Bashkimit Evropian

Tiranë, 1 maj NOA Update - Kryeministri Sali Berisha priti sot Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, z. Jacques Barrot.

Pas takimit, Berisha dhe Barrot bënë publike në një konferencë për shtyp bisedimet mes tyre.

Berisha tha se me Zëvendës/presidentin e Komisionit Europian, z. Jacques Barrot, patën një diskutim të zgjeruar mbi të gjitha problemet e bashkëpunimit të Shqipërisë me Komisionin Europian, mbi reformat dhe përpjekjet tona për integrimin në Bashkimin Europian.

Vizita e zëvendës/Presidentit Barrot vjen vetëm pak ditë pasi Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtarë të Bashkimit Europian.

Ndaj Berisha evidentoi faktin se shqiptarët kanë një dëshirë shumë të madhe, të lëvizin të lirë në kontinentin që i përkasin.

Pasaportat biometrike nuk janë kushti i vetëm, por janë edhe një seri kushtesh të tjera, që Berisha tha se po përpiqemi t'i plotësojmë, me seriozitetin më të madh, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri përmendi se të tilla janë marrëveshjet e pranimit dhe ekstradimit dhe bashkërendimi i të gjitha agjencive tona të zbatimit të ligjit me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere.

***

Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti i KE-së Barrot tha se shqiptarët shpresojnë dhe urojnë që gradualisht dhe progresivisht të shkojnë drejt realizimit të dëshirës së tyre, që është lëvizja e lirë dhe derisa të hiqet përfundimisht viza nga detyrimi për të lëvizur.

"Unë nuk mund ta them sot se kur do të ndodhë pikërisht kjo gjë, por mund të them sigurisht se Shqipëria është duke avancuar në këtë drejtim dhe duke respektuar axhendës e parashikuar për të arritur në këtë rezultat".

Këtu ai pohoi se "kemi 5 kushte të mëdha për t'i plotësuar" dhe renditi:

- së pari, është lufta kundër krimit të organizuar dhe sigurisht, dua të falënderoj Shqipërinë, qeverinë shqiptare dhe zotin Berisha, sepse kanë qenë vërtet energjikë në këtë drejtim, në luftën kundër drogës, krimit të organizuar, ku janë bërë vërtet përparime të mëdha, konkretisht me realizimin e disa mandat-arresteve të disa personave të inkriminuar dhe kjo në bashkëpunim të organeve përkatëse shqiptare me ato të vendeve anëtare të BE-së.

- së dyti, është lufta kundër korrupsionit. Sigurisht, edhe aty janë bërë arritje dhe një punë e madhe. Ka reforma shumë të rëndësishme, të cilat kanë filluar të japin frytet e tyre, por unë e inkurajova zotin Kryeministër se në këtë drejtim, duhet vazhduar ende lufta me përpjekje të mëdha.

- së treti, lufta kundër emigracionit klandestin dhe unë këtu, vërtet, dua të falënderoj Shqipërinë që ka bërë një përpjekje shumë të madhe në këtë drejtim dhe dëshmi për këtë janë reagimet e qeverisë italiane dhe autoriteteve greke që e pranojnë një gjë të tillë së fundmi. Qeveria ka pranuar dhe kjo është një tjetër gjë shumë pozitive, të zbatojë marrëveshjen e ripranimit, duke mos kthyer të gjithë emigrantët klandestinë që hyjnë nga Shqipëria.

- së katërti, puna që bëhet me sistemin gjyqësor. Është e vërtetë që për ne kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj ecurisë në këtë drejtim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera, të cilat dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së, sepse dëshirojmë fort që drejtësia në të gjitha këto vende të jetë një shtyllë e fortë, jo vetëm e pavarur, por edhe e paanshme dhe e ndershme dhe për këtë ne falënderojmë Shqipërinë për përpjekjet që bën dhe them se ne e mbështesim shumë, shumë fort këtë lloj prirjeje.

- së pesti, ne kemi thënë që duhet të ketë një sistem shumë të mirë sigurie dhe këtu është rasti që t'i them bravo, bravo Shqipërisë për realizimin e pasaportave biometrike, të cilat sigurisht do të premtojnë dhe do të bëjnë të mundur që të ecet më shpejt drejt liberalizimit të vizave.

Më tej z.Barrot siguroi se BE do të vazhdojë ta ndihmojë dhe ta mbështesë Shqipërinë në rrugën që ka nisur, sepse është në rrugë të mbarë.

Ai lajmëroi se në tre vitet në vazhdim, 160 milionë euro, do të jenë jo vetëm një ndihmë financiare, por do të vazhdojë me ndihmën teknike dhe mbështetjen.

" Në fakt, vizita ime këtë ka për qëllim, që t'ju shprehë juve mbështetjen e BE-së, për ta mbështetur Shqipërinë në rrugën e modernizimit, që një ditë do ta çojë në Europë", - pohoi Barrot.

e.l/NOA

KOMENTE