Tiranë, 1 maj, NOA - Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, në Ditën e Punëtorëve, e cila në të gjithë botën përkujtohet nëpërmjet një reflektimi publik ndaj situatës së të drejtave social-ekonomike të punonjësve, i ka dërguar një letër kryeministrit për çështjen e pagave të punonjësve, por ka organizuar edhe një tubim.
Ky organizëm bën të ditut për agjencinë e Lajmeve NOA se ka konstatuar prej vitesh një situatë të rëndë abuzimi në dëm të qindra mijë punonjësve në të gjithë Shqipërinë të cilët e marrin pagën nëpërmjet sporteleve të bankave të nivelit të dytë apo nëpërmjet sporteleve të institucioneve të tjera financiare jobankare.
"Të gjithë punonjësit shqiptarë që marrin pagën në këto subjekte asnjëherë nuk marrin pagën e plotë sipas kontratës që kanë me punëdhënësit e tyre. Ata janë të detyruar që të paguajnë komisione bankare dhe tarifa për një shërbim për të cilin nuk kanë asnjë detyrim. Në këtë mënyrë të gjithë punonjësit e Shqipërisë humbasinçcdo vit miliona euro nga rrogat e tyre ndërkohë që punëdhënësit ia faturojnë këtë shërbim në mënyrë të paligjshme punonjësve të tyre megjithëse çdo përgjegjësi është e tyre dhe e mënyrës se si ata kanë përzgjedhur dhe kanë kontraktuar bankat e nivelit të dytë apo institucionet e tjera financiare jobankare", thuhet në deklaratën e ZMK-së.
Ajo ka arritur në përfundimin se sitsemi aktual i pagesave ka parregullsi pasi punonjësve u mbahet nga rroga një tarifë e caktuar shërbimi në formë komisioni e cila shkel marëdhëniet kontraktuale financiare që kanë punonjësit me punëmarrësit pasi sportelet e institucioneve bankare dhe jobankare ofrojnë shërbimin në emër të punëmarrësit (I përzgjedhur në marëdhënie kontraktuale nga vetë punëdhënësit dhe jo nga punëmarrësit). Kjo praktikë ka sjellë dhjetra miliona euro abuzim në dëm të xhepave të punonjësve në të gjithë sektorët dhe në të gjithë nivelet, qendrore dhe lokale.
Për këto arsye, ZMK, në ditën e Punëtorëve, atë të 1 Majit, i paraqet kryeministrit një propozim të drejtpërdrejtë që të miratojë një VKM e cila të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e mbajtjes së komisionit dhe të çdo tarife tjetër nga pagat e punonjësve të institucioneve buxhetore në sportelet bankare dhe jobankare.
n.e/NOA
Â
Â