Tiranë, 2 maj NOA - "Po iki nga Shqipëria me mendimin se këtu ka ndodhur një evolucion pozitiv dhe sigurisht këto arritje tuajat, do t'i raportoj në Bruksel".
Pihimin e bëri sot në Tiranë, Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, z. Jacques Barrot,
i cili u takua pak para mesdite me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
"Ju keni arritur suksese në zbatimin e disa strategjive në drejtësi tani duhet të krijoni strategji afatgjata që sigurojnë transparencë dhe eficencë. Reformat në drejtësi duan maturi dhe kujdes sepse rrethi i gjyqtarëve kudo është i ndjeshëm", - tha z. Barrot në fjalën e tij.
Takimi u shoqërua nga diskutime të zgjeruara mbi të gjitha problemet që janë hasur gjatë kryerjes së reformave në drejtësi si dhe të dyja palët u shprehen për rëndësinë absolute që ka kjo reformë në integrimin Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Barrot, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurisë, të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar dhe të sistemit të drejtësisë në Komisionin Evropian u njoh me reformën në fushën e drejtësisë, me hartimin dhe miratimin e ligjeve të reja si ai prokurorisë, ai i organizimit të pushtetit gjyqësor, ligjit për ngritjen e gjykatave administrative, luftës ndaj korrupsionit, etj.
"Për të realizuar reformën në drejtësi jemi përpjekur që të realizojmë ndërhyrjet e domosdoshme ligjore por edhe të ruajmë konceptin e pavarësisë së sistemit".- tha Alibeaj në fjalën e tij.
Ministri e njohu z. Barrot me hapat e mëtejshëm të reformës në drejtësi, e cila synon të krijojë një sistem drejtësie lehtësisht të administrueshëm dhe në të cilën besimi i publikut do të rritet.
Më tej ai e njohu bashkëbiseduesin e tij me ligjin e Dosjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit.
Në përfundim të takimit z. Barrot premtoi se Shqipërisë nuk do t'i mungojë ndihma e Komisionit Evropian.
e.l/NOA