English

Berisha: Saranda do të bëhet një nga qendrat më të mëdha të turizmit në Ballkan

Sarandë, 2 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha po zhvillon sot një vizitë në Sarandë, me rastin e çeljes së sezonit turistik për vitin 2009.

Nga ky qytet, Kryeministri përshëndeti hapjen e sezonit turistik në vend dhe uroi qytetarët e Sarandës dhe të gjithë Shqipërisë për një sezon turistik edhe më të suksesshëm.

"Së bashku, ne çelim sezonin turistik të Sarandës dhe mbarë Shqipërisë. Sezon, në të cilin Saranda, bregu, Vlora, Durrësi, Velipoja, Shëngjini, Ksamili, i tërë bregdeti shqiptar përgatitet të presë miliona qytetarë dhe qytetare nga vende të ndryshme nga mbarë bota, t'u ofrojë atyre mikpritjen e shkëlqyer shqiptare, t'u ofrojë atyre pasuritë e mëdha kulturore, shpirtërore, fetare dhe të gjithanshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve, t'u ofrojë ujërat më të kthjellëta më të pastra, t'u ofrojë shërbimet më të mira," u shpreh Kryeministri, drejtuar qytetarëve të Sarandës.

Berisha tha se në sajë të mikpritjes shqiptare dhe mbështetjes që qeveria i ka dhënë zhvillimit të gjithanshëm të vendit, veçanërisht turizmit, vitin e kaluar, në Shqipëri, kanë hyrë 2.7 milion vizitorë, kundrejt 300 mijë gjithsej gjatë gjithë vitit 2004 dhe vetëm Saranda, në verën e kaluar, ia dalë të presë 300 mijë turistë, aq sa kishin hyrë në Shqipëri, gjatë vitit 2004.

Hapja e sezonit turistik, tha më tej Kryeministri, do të punësojë qindra të rinj në sektorin e shërbimeve dhe qindra e qindra milion euro do të shpenzohen nga turistët në Sarandë dhe mbarë Shqipërinë.

"Shqipëria, - u shpreh Kryeministri - ka potenciale të mëdha zhvillimore, por potencialin e të gjitha potencialeve Shqipëria e ka në turizmin e saj, e ka në Sarandë, në bregdet, Vlorë, Durrës, Velipojë, Shëngjin etj.."

Më pas, Berisha mori pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e çeljes së sezonit turistik.

Kryeministri vizitoi panairin përgjatë shëtitores së qytetit, në stendat e ndryshme të të cilit ishin ekspozuar punime artizanale nga Saranda dhe zonat përreth, piktura të fëmijëve nga Qendra Kulturore e Sarandës.

"Ne e çelim këtë sezon në kushte të pakrahasueshme më të mira, pasi lajmi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, lajmi i pranimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian janë dy lajme pozitive që Shqipëria i përcjell mbarë botës. Këto janë dy lajmet e përcjella nga të gjitha agjencitë dhe mediat e botës. Kështu, që çdo njeri që tani sheh në hartën e Ballkanit dhe Europës dhe ndalet të Shqipëria, ndalet në një vend anëtar të BE-së," u shpreh Kryeministri.

Berisha u takua me qytetarë të shumtë dhe u konfirmoi vullnetin e tij dhe të qeverisë që ai drejton për ta kthyer Sarandën në një nga qendrat më të mëdha të turizmit jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan e më gjerë.

k.k/NOA

KOMENTE