English

Blushi në Pogradec: Sali Berisha e hodhi në liqen çelësin e portës së BE

Alba Filipi

Korçë, 2 maj NOA - Deputeti socialist Ben Blushi dhe Nënsekretari për koordinimin në PS Arben Ahmetaj në turin për prezantimin e Programit të ri qeverisës në qarkun e Korçës, janë ndalur në Starovë, në takim me banorët e kësaj zone.

Ahmetaj, ka folur për problematikën e emigracionit, ku janë të shumtë banorët e Starovës, të cilët punojnë në tokat e të tjerëve, pasi në vendin e tyre ndihen të pa mbështetur nga shteti.

Ndërsa Ben Blushi ka kërkuar që shqiptarët ta ndëshkojnë me votë Kryeministrin më 28 Qershor, për t'i dhënë fund një herë e mirë varfërisë dhe mungesës së vëmendjes nga ana e qeverisë.

"Ne kemi vendosur të mundim një armik të përbashkët, i cili nuk është as armiku i Edi Ramës e as i imi personalisht. Ai është armik i Shqipërisë. Kjo është varfëria jonë. Kemi vendosur të mundim varfërinë, duke shkuar në 28 Qershor, me një projekt, me një program, i cili do të ketë një përgjigje për secilin nga ne", - premtoi Blushi.

Blushi tha se më 28 Qershor votojmë për të hapur derën e Evropës. Kjo derë, - tha ai, - na është mbyllur, na u mbyll për 50 vjet nga komunizmi, menduam se e hapëm në 1991, por Sali Berisha mori çelësin dhe e hodhi këtu në liqen".

"Megjithatë, - premtoi ai, - ne do ta gjejmë sërish çelësin e Evropës dhe do ta hapim atë derë përfundimisht, për të jetuar si njerëz me dinjitet, siç e meritojmë ne shqiptarët".

Ai pohoi më tej se ka takuar shumë të rinj dhe këtu ka shumë të rinj për fat të mirë, njerëz që kanë shumë arsye për të humbur shpresën.

"Kanë arsye të besojnë se vendi i tyre nuk i jep atë që duan, - vijoi Blushi, - se vendi i tyre nuk i jep atë që meritojnë, se qeveria që kanë nuk i jep mundësi të kenë një punë, një shpresë, të ngrenë një familje të qetë, të lumtur dhe të rritin fëmijën e tyre".

Kurse evidentoi edhe se secili prej nesh ka patur dilemë në kokën e vet, dilemën të rrijë apo të iki nga Shqipëria, duke theksuar se shumëkush e ka sot akoma dilemën, të rri apo të iki, sepse ndoshta nuk ia vlen.

Ndaj shprehu bindjen se "këtu në Starovë, por edhe kudo tjetër, nuk do të ketë arsye për të votuar më për Sali Berishën. Të votosh sot për Sali Berishën, do të thotë të votosh për të djeshmen. Ne duhet të ecim përpara dhe të votojmë për të nesërmen".

a.f/NOA

KOMENTE