English

Edi Rama në Durrës: Biznesit turistik, kurrë vendime shkatërruese prapa krahësh

Durrës, 2 Maj NOA - Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama ka qenë sot në Durrës për të folur me qytetarë të tij për zhvillimin e zonave turistike të vendit.

Duke prezantuar kapitullin e Programit të PS për sektorin e Turizmit, Rama tha se,

qeverisja socialiste pas 28 qershorit të gjitha investimet në infrastrukturë do ti kryejë në funksion të zhvillimit të turizmit.

Rama premtoi se PS në qeverisje do të bëjmë të mundur që Shqipëria të bëhet pjesë e zinxhirit turistik të rajonit, dhe një prej destinacioneve më të konsoliduara të Ballkanit.

Qëllimi ynë, - tha Rama është të integrojmë shërbimet tona turistike në rrjetin Evropian të shërbimeve turistike.

Rama u ndal tek teknologjia, e cila duhet të jetë në funksion të zhvillimit, pasi vendi ynë nuk mund të jetë magazinë hekurishtesh të papërdorshme.

"Janë shumë pak, por nuk kemi sot e gjithë ditën asnjë sistem vlerësimi të pranueshëm të njësive hoteliere të turizmit. Ne do ta ngremë këtë sistem licencimi dhe vlerësimi në bazë të standardeve evropiane, me qëllim që t'i integrojmë shërbimet tona turistike në rrjetin evropian të shërbimeve turistike".

Nga ana tjetër Rama tha se "ne do të bëjmë të mundur që Shqipëria të bëhet një prej destinacioneve më të konsoliduara turistike të Ballkanit dhe të bëhet pjesë e zinxhirit turistik të rajonit, ku sot është tërësisht një hallkë e shkëputur".

Kreu socialist pohoi se sot turizmi në Shqipëri mbijeton vetëm në sajë të prurjes që vjen nga matanë kufirit tonë verior, që është e destinuar të ulet në rast se ne nuk do të rritim cilësinë e shërbimeve që ofrojmë.

Nga ana tjetër, - vijoi Rama, - ju jeni të gjithë dëshmitarë të faktit që jemi prej 4 vitesh nën presionin dhe kërcënimin e egër të një zhvillimi të pakontrolluar dhe njëkohësisht të një industrializimi të vjetër që mund të ketë pasoja shkatërrimtare dhe përfundimtare, për të ardhmen e turizmit në Shqipëri.

Rama pohoi se duke qenë të hapur, dhe aspak paragjykues ndaj zhvillimeve të reja, duke qenë të hapur dhe aspak paragjykues ndaj të gjitha kërkesave për investime në sektorin energjetik, ne do të bëjmë një politikë të re, të qartë dhe të vendosur, për të zmbrapsur prurjen në Shqipëri dhe ngritjen në Shqipëri të të gjitha rrangallave dhe hekurishteve që nuk janë më të pranueshme për Evropën ku ne duam të integrohemi.

Sipas Ramës, nuk mund të jetë bregdeti i Shqipërisë, nuk mund të jetë Shqipëria vendi ku spostohen teknologjitë e vjetra që dalin jashtë kontrollit dhe standardeve të BE, e ku për interesa tërësisht të pjesshme, të vogla, banale të një grushti vendimmarrësish në Tiranë, të sakrifikohen interesat kombëtare, që janë të lidhura direkt me zhvillimin turistik të Shqipërisë.

Këtu, Rama ka bërë një premtim: "Ju siguroj se qeveria jonë nesër, nuk do t'ju kap asnjëherë në befasi, me vendime që bien ndesh me interesat tuaja. Ne do të qeverisim përmes forumesh të bashkëqeverisjes".

E kjo, sipas Ramës, vetëm nga bindja e thellë se ata që përfaqësojnë janë aty për të përfaqësuar ty dhe jo për të të tradhtuar në çdo hap, thjesht dhe vetëm për interesat e tyre në kundërshtim me interesat e tua".

Kryetari i PS veçoi faktin se kërkesa për turizëm është rritur me disa qindra milionë turistë Â të Evropës lindore dhe theksoi se "ne do të përpiqemi të përfitojmë nga kjo kërkesë në rritje, për të sjellë një pjesë të kësaj kërkese në tregun vendas".

Duke folur në qytetin e Durrësit Edi Rama ka bërë premtimin për bashkëqeverisje me të gjithë grupet e interesit e qeverisje përmes forumesh.

a.a/NOA

KOMENTE