English

Ekzekutohet me automatik pranë shtëpisë, deputeti Fatmir Xhindi

Roskovec, 3 maj, NOA - Deputeti Fatmir Xhindi, ka ndërruar jetë para pak minutash pas një atentati që i kryen afër shtëpisë së tij në Roskovec.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Klodian Branko konfirmoi zyrtarisht lajmin e dhënë nga korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA në qarkun Fier.

Konfirmohet se deputeti Fatmir Xhindi ka qenë në orën 21.55 duke iu afruar banesës së tij kur pikërisht tek porta, ndërsa po përgatitej të dilte nga makina e tij ku ndodhej i vetëm, është qëlluar me armë zjarri.

Policia tha se viktima është qëlluar me një armë automatike të llojit "Kallashnikov" dhe nga breshëritë e plumbave, disa prej tyre kanë zënë Xhindin.

Në gjendje kritike për jetën ai është dërguar në spitalin vendor, ku mjekët thanë se ai kishte ndërruar jetë nga plagët fatale të marra në trup.

Policia tha se ka ngritur shumë postblloqe në Roskovec, zonat e Fierit dhe në tërë qarkun.

Nuk ka ende informacion kush ishin atentatorët.

I lindur më 1 prill të vitit 1960, deputeti socialist Fatmir Xhindi, ka përfunduar studimet në dy universitete, të parin në Gjirokastër për Histori-Gjeografi dhe të dytin në kryeqytet për Juridik. Po ashtu, ai kishte përfunduar studimet e Masterit në Drejtësi.

Përvoja në punë para mandatit, ka qenë e paktë. Ai ka qenë tre vjet mësues historie dhe më tej drejtor i një shkolle në një fshat të Fierit.

Nga viti 2005 është deputet i PS. Detyrat e tij politike pas anëtarësimit më 1991 në këtë parti, ishin ajo e kryetarit të Këshillit të Bashkuar Kurjan, Fier. Në vitet 1988-1991 e më tej, 1992-1996, kryetar i Komunës Kurjan, Fier. Në vazhdim ka qenë anëtar i Kryesisë së PS-së, Fier dhe anëtar i Këshillit Socialist të Qarkut Fier. Ka qenë edhe anëtar në Komisionin hetimor "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave".

e.l/NOA

KOMENTE