Uashington, 2 maj, NOA - Në pozicionin e 101 në listën e 170 vendeve të botës, të marra në shqyrtim për lirinë e medias gjatë këtij viti, Shqipëria klasifikohet si një vend ku liria e medias është ende e pjesshme. Kjo konfirmohet në raportin e fundit të publikuar nga organizata "Freedom House" me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, e cila përkon me datën e nesërme 3 maj.
Në kuadrin e kësaj dite, ekspertët kanë marrë në shqyrtim problematikat aktuale të medias, edhe në Shqipëri, duke vlerësuar se në vendin tonë ka arritje të aspektit teknik dhe të numrit të mediave, por ende jo të cilësisë së tyre.
Sipas raportit të fjalë, gazetaria investigative në Shqipëri është ende në hapat e saj embrionalë dhe ajo paraqet probleme të mënyrës së vetërregullimit.
Nga ana tjetër "Freedom House" vë në dukje se gazetarët shqiptarë paraqesin ende probleme të vetërregullimit të tyre, gjë e cila shoqërohet edhe me probleme të etikës profesionale.
Sa u përket vendeve të rajonit, ato paraqiten thuajse njësoj në të njëjtën gjendje si Shqipëria sa i përket lirisë së medieve, me të njëjtin ndryshim të vetëm të shënuar nga Greqia, e cila renditej në pozicionin e 61-të në këtë listë, me vlerësimin e medias si "Të lirë".
Ndërkaq, në tërësi, për 170 vendet e botës, në sy ra rënia e lirisë së medieve sidomos në Azi dhe në Afrikë.
n.e/NOA