English

Këshilltarja e Kryeministrit del me një qëndrim mbi akuzat për afera milionere

Tiranë, 2 maj NOA - Këshilltarja e Kryeministrit, Suzana Guxholli ka dalë sot me një qëndrim për mediat, duke përgënjeshtruar artikullin e një të përditshmeje sot, "Dy këshilltarë të Berishës, sekserë në koncesione prej miliona eurosh".

Sipas Guxhollit, artikulli "është një gënjeshtër e madhe e radhës e asaj pjese mafioze të medias që abuzon me lirinë e shtypit, duke trilluar histori e bëma të paqena".

"Unë deklaroj, në përgjegjësinë time publike dhe ligjore, që nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë lloj lidhjeje me kompaninë "EuroConsulting" të Kosovës, për pasojë as me tenderin për hidrocentralet në lumin Shalë dhe me asnjë kompani tjetër që zhvillon aktivitet në territorin e Shqipërisë apo jashtë saj", deklaron këshilltarja për ekonominë e Berishës.

Në artikull thuhet se "Suzana Guxholli, e cila është edhe koordinatore direkte dhe eksperte e zyrës së Kryeministrit për të gjithë koncesionet që jepen në Shqipëri, ka shpallur në curriulumin e saj zyrtar faktin se është drejtoreshë dhe manaxhere në këtë firmë."

Guxholli tha se procedurat dhe ligjet transparente në fuqi, të kësaj qeverie, i japin mundësi çdo qytetari të kontrollojë e bëhet me dije edhe nëpërmjet internetit, në QKR, (Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit).

Guxholli vlerëson se artikulli është "një luftë e hapur dhe goditje e turpshme ndaj personit tim dhe detyrës që unë kryej, që bëhet në kuadrin e fushatës elektorale nga pjesa e korruptuar e medias, e cila mbështet interesa mafioze të grupeve të caktuara politike dhe mediatike".

e.l/NOA

KOMENTE