Tiranë, 3 maj NOA - Ministria e Brendshme sapo ka nxjerrë një komunikatë zyrtare mbi vrasjen mbrëmjen e së Shtunës të deputetit Fatmir Xhindi.
Fatmir Konja, zëdhënës i MB, tha në orën 00.15 të së Dielës se rreth orës 21:15 minuta nga ana e patrullës së qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos është konstatuar që familjarë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Fatmir Xhindi, po e transportonin atë me shpejtësi drejt spitalit të Fierit pasi ishte qëlluar me armë zjarri.
"Lajmi u konfirmua më pas nga autoritetet e spitalit të Fierit, ku deputeti Fatmir Xhindi ishte dërguar nga familjarët e tij në gjendje të rëndë pas goditjes me armë zjarri, për shkak të së cilës ka humbur edhe jetën", - deklaroi Konja.
Ai detajoi se forcat e policisë së Fierit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku kanë konstatuar se deputeti Fatmir Xhindi është goditur me armë zjarri brenda oborrit të shtëpisë së tij në kohën kur sapo kishte parkuar automjetin e tij.
Sipas deklaratave paraprake të familjarëve të tij, deputeti Xhindi sapo ishte kthyer nga puna në pronat e tij private në zonën e Kurjanit.
Në vendngjarje kanë mbërritur drejtues të lartë të Departamentit të Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe autoritetet e hetimit të krimeve të rënda të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier.
Në vendngjarje ndodhet edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Konja tha se policia së bashku me Prokurorinë e Qarkut Fier ka nisur hetimin dhe mbledhjen e të gjitha provave në vendngjarje.
"Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë angazhuar të gjithë ekspertët më të mirë të hetimit të krimeve të rënda dhe siguron opinionin publik dhe familjen e deputetit Xhindi, se do të kryhet një hetim i hollësishëm dhe i thellë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për zbulimin e shkaqeve të saj dhe gjetjen e autorëve të këtij krimi të rëndë", - deklaroi Konja, duke shtuar se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mbajnë të informuar në vijimësi opinionin publik përmes medias.
k.k/NOA
Kush ishte i ndjeri Fatmir Xhindi
Lindur më 1 prill të vitit 1960, deputeti socialist Fatmir Xhindi, ka përfunduar studimet në dy universitete, të parin në Gjirokastër për Histori-Gjeografi dhe të dytin në kryeqytet për Juridik. Po ashtu, ai kishte përfunduar studimet e Masterit në Drejtësi.
Përvoja në punë para mandatit, ka qenë e paktë. Ai ka qenë tre vjet mësues historie dhe më tej drejtor i një shkolle në një fshat të Fierit.
Nga viti 2005 është deputet i PS. Detyrat e tij politike pas anëtarësimit më 1991 në këtë parti, ishin ajo e kryetarit të Këshillit të Bashkuar Kurjan, Fier. Në vitet 1988-1991 e më tej, 1992-1996, kryetar i Komunës Kurjan, Fier. Në vazhdim ka qenë anëtar i Kryesisë së PS-së, Fier dhe anëtar i Këshillit Socialist të Qarkut Fier. Ka qenë edhe anëtar në Komisionin hetimor "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave".