Tiranë, 2 Maj NOA - Partia Demokratike (PD), tha sot se e konsideron monolog, intervistën e Edi Ramës mbrëmë në tv Ora news, ku foli për zhvillimet e fundit në vend dhe prag zgjedhjet e qershorit.
Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD, tha se "për shkak të detyrës ndoqa mbrëmë monologun tmerrësisht monoton dhe të mërzitshëm të z.Rama.
"Por në fund të monologut mbi 3 orësh të tij doli se Z.Rama kishte qenë aq bindës sa nga 1200 qytetarë që votuan në sondazhin e emisionit, 52,7% votuan për Partinë Demokratike", - evidentoi Mëhilli.
Por meqenëse PD nuk ishte e përfaqësuar në emision, - vijoi ajo, - duket se ato ishin vota proteste ndaj Edi Ramës, prandaj edhe PD uron që mediat të transmetojnë çdo natë monologje të Edvinit. Mëhilli tha se Rama faktoi se është ai autori i artikujve të gazetave të tij për marrëveshjen për përcaktimin e kufirit ujor më Greqinë. "Pra njësoj siç bëri me orën e Bushit e përdori këtë gjë për të zhurmuar vizitën e suksesshme të Karamanlisit. Ai përsëriti në monologun e pasdarkës të gjitha akuzat e formuluara çdo ditë në mediat e tij", - vlerësoi zëdhënësja e PD.
Ajo citoi edhe deklarimin se marrëveshja nuk është transparente, "se nuk dinte pikën bazë të përdorur për matjet, ndonëse 2 herë nga autoritetet kompetente është shpjeguar qartë para medieve". Kurse theksoi se "në monologun e tij 3 orësh Rama vetëm për një gjë kishte të drejtë, në sulmet dhe urrejtjen kundër Berishës, sepse ky i përmbysi pushtetin mizor komunist të babait të Ramës dhe e bëri këtë pikërisht në kohën kur ai nga karrigia e anëtarit të presidiumit të kuvendit popullor firmoste edhe pas rënies së murit të Berlinit për ekzekutime të intelektualëve dhe qytetarëve kundërshtar të regjimit diktatorial".
e.l/NOA