Tiranë, 3 Maj NOA Update - Deputeti Fatmir Xhindi ka mbetur i vrarë pas një atentati ende misterioz që i ndodhi mbrëmjen e së Shtunës rreth orës 21.15, pak metra larg banesës së tij në qytetin e Roskovecit.
Ministria e Brendshme
Ministria e Brendshme doli me një komunikatë zyrtare mbi vrasjen mbrëmjen e së Shtunës të deputetit Fatmir Xhindi.
Fatmir Konja, zëdhënës i MB, tha se rreth orës 21:15 minuta të së Shtunës, nga ana e patrullës së qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos është konstatuar që familjarë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Fatmir Xhindi, po e transportonin atë me shpejtësi drejt spitalit të Fierit pasi ishte qëlluar me armë zjarri.
"Lajmi u konfirmua më pas nga autoritetet e spitalit të Fierit, ku deputeti Fatmir Xhindi ishte dërguar nga familjarët e tij në gjendje të rëndë pas goditjes me armë zjarri, për shkak të së cilës ka humbur edhe jetën", - deklaroi Konja.
Ai detajoi se forcat e policisë së Fierit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku kanë konstatuar se deputeti Fatmir Xhindi është goditur me armë zjarri brenda oborrit të shtëpisë së tij në kohën kur sapo kishte parkuar automjetin e tij.
Sipas deklaratave paraprake të familjarëve të tij, deputeti Xhindi sapo ishte kthyer nga puna në pronat e tij private në zonën e Kurjanit.
Në vendngjarje kanë mbërritur drejtues të lartë të Departamentit të Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe autoritetet e hetimit të krimeve të rënda të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier.
Në vendngjarje ndodhet edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Konja tha se policia së bashku me Prokurorinë e Qarkut Fier ka nisur hetimin dhe mbledhjen e të gjitha provave në vendngjarje.
"Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë angazhuar të gjithë ekspertët më të mirë të hetimit të krimeve të rënda dhe siguron opinionin publik dhe familjen e deputetit Xhindi, se do të kryhet një hetim i hollësishëm dhe i thellë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për zbulimin e shkaqeve të saj dhe gjetjen e autorëve të këtij krimi të rëndë", - deklaroi Konja, duke shtuar se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mbajnë të informuar në vijimësi opinionin publik përmes medias.
Kush ishte i ndjeri Fatmir Xhindi
Lindur më 1 prill të vitit 1960, deputeti socialist Fatmir Xhindi, ka përfunduar studimet në dy universitete, të parin në Gjirokastër për Histori-Gjeografi dhe të dytin në kryeqytet për Juridik. Po ashtu, ai kishte përfunduar studimet e Masterit në Drejtësi.
Përvoja në punë para mandatit, ka qenë e paktë. Ai ka qenë tre vjet mësues historie dhe më tej drejtor i një shkolle në një fshat të Fierit.
Nga viti 2005 është deputet i PS. Detyrat e tij politike pas anëtarësimit më 1991 në këtë parti, ishin ajo e kryetarit të Këshillit të Bashkuar Kurjan, Fier. Në vitet 1988-1991 e më tej, 1992-1996, kryetar i Komunës Kurjan, Fier. Në vazhdim ka qenë anëtar i Kryesisë së PS-së, Fier dhe anëtar i Këshillit Socialist të Qarkut Fier. Ka qenë edhe anëtar në Komisionin hetimor "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave".
Vrasja e Xhindit, reagon Berisha: Akt barbar për një deputet kaq të përkushtuar
Për vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi, ka reaguar edhe kryeministria, me një qëndrim zyrtar, në orën 00.15 të së Dielës.
"Vdekja e deputetit Fatmir Xhindi, nga një akt kriminal dhe barbar, është një ngjarje e rëndë, shokuese për Fierin dhe mbarë vendin", -m thuhet në qëndrimin zyrtar të Kryeministrisë.
"Deputeti Fatmir Xhindi gjatë veprimtarisë së tij parlamentare në tre legjislatura, është dalluar nga përkushtimi, përgjegjshmëria dhe serioziteti në përmbushjen e detyrës së tij të rëndësishme të ligjvënësit", - vijon deklarata.
Kryeministri Sali Berisha, thotë se dënon "me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal të shëmtuar dhe i shpreh ngushëllime, familjes, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, Partisë Socialiste dhe Parlamentit".
Kryeministri Berisha thekson në reagim se "i siguron se qeveria do të marrë të gjitha masat dhe do të bëjë çdo përpjekje që autorët e këtij akti mizor të gjenden sa më parë dhe të vendosen para drejtësisë, që të marrin dënimin që meritojnë".
Edi Rama: Presim me padurim zbardhjen e rrethanave
Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama reagoi për publikun, menjëherë pas vizitës në familjen e të ndjerit Fatmir Xhindi.
"Është një ngjarje e rëndë sa s'ka më! Është vrarë një qytetar, i cili përfaqësonte shumë qytetarë të tjerë, jo thjesht një njeri si të tjerët", - deklaroi kryetari i PS.
Kurse shtoi: "Duke pritur me padurim zbardhjen e rrethanave, ne jemi këtu për t'i shprehur solidaritetin tonë familjes së mikut tonë të ndjerë e për t'ua lehtësuar sadopak dhimbjen e tmerrshme e tronditëse për të gjithë vendin".
Topalli
Në banesën e deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi, ka mbërritur mbrëmjen e së Shtunës edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo shoqërohej nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja.
Dy deputetët kanë hyrë në banesë ku ndodhen shumë familjarë dhe të afërm të të ndjerit.
Më herët kishte mbërritur edhe kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, i shoqëruar nga disa deputetë të tjerë socialistë si dhe drejtues të PS vendore në Roskovec.
Pak para mbërritjes së Topallit, Rama ka dalë nga banesa e të ndjerit dhe nuk ka lëshuar asnjë deklaratë për mediat.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS: Xhindi, një deputet, njeri i urtë
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Erion Braçe reagoi pas ngjarjes tragjike të vrasjes së deputetit të PS Fatmir Xhindi.
Gjatë një prononcimi televiziv, Braçe tha se u "desh një ngjarje e tmerrshme që shqiptarët të kuptojnë se në këtë vend nuk ka më asnjë siguri për jetën".
Deputeti socialist Braçe e cilësoi kolegun Xhindi, si deputetin më të urtë, më të mirë, më të votuar dhe më me vlera të grupit socialist.
Jetëshkrim i deputetit të ndjerë:
Xhindi, Fatmir Faslli
Adresa: Kuvendi i Shqipërisë Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë
Të dhëna vetjake
Datëlindja: 1.4.1960 Vendlindja: Fier
Edukimi:
Universiteti "Eqerem Çabej", Fakulteti Histori-Gjeografi, dega Histori, Gjirokastër - 1986. Universiteti i Tiranës, Fakulteti Juridik - 2003. Master për Shkencat Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë - 2005.
Veprimtaria profesionale:
1986-1989: mësues historie në Vlosh, Fier; drejtor i Shkollës së Mesme të Bashkuar Kurjan, Fier.
Veprimtaria politike: 2005: deputet i PS-së. 1991: anëtar i PSSH-së. 1989-1991: kryetar i Këshillit të Bashkuar Kurjan, Fier. 1992-1996: kryetar i Komunës Kurjan, Fier. 1996 e vazhdim: anëtar i Kryesisë së PS-së, Fier; anëtar i Këshillit Socialist të Qarkut Fier; anëtar i Komisionit për Pushtetin Vendor pranë KPD-së të PS-së. Komisioni hetimor "Mbi përgjimet e paligjshme të telefonave", anëtar.
Zgjedhur në:
Legjislatura: XVII Zona zgjedhore: 68 Qarku: Fier Nr. i votave: 6708 Përqindja: 45%
Grupi dhe Komisionet parlamentare:
Grupi parlamentar: PSSH Komisioni parlamentar: Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, anëtar.
k.k/e.l/NOA