English

Urdhri i Infermierit publikon problematikat e formimit profesional

Tiranë, 2 Maj NOA - Në kuadrin e Muajit të Infermierit (12 prill-12 maj), gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar takime të reja në rrethe të ndryshme të vendit, në të cilat infermierët kanë ngritur zërin për të paraqitur gjithë shqetësimet me të cilat ata paraqiten në punën e tyre të përditshme.

Urdhri i Infermierit tha sot për agjencinë e lajmeve NOA se këto takime po shërbejnë në të njëjtën kohë edhe për sensibilizimin e infermierëve mbi rritjen e nivelit etiko-profesional të tyre, si edhe po diskutohet mbi tematika për rritjen e profesionalizmit të kësaj kategorie në sektorin shëndetësor.

Urdhri i Infermierit ka renditur dhe problematikat ku kryesore evidenton mungesën e përfaqësimit në nivelet drejtuese

Sipas tij, shqetësim kryesor që ngrenë infermierët është ai i përfaqësimit të mangët të tyre në instancat e larta të shërbimit shëndetësor, atje ku në fakt merren dhe vendimet e rëndësishme për mbarëvajtjen e tij. Infermieri nuk është pjesë e niveleve drejtuese të sistemit shëndetësor në vend.

Edhe pse ai është pjesë e rëndësishme e këtij sistemi, me shërbimin që kryen në çdo etape të jetës së njeriut, në çdo moment të tij, vendimet për të, i marrin të tjerët që e shohin si më pak të vlerësuar këtë profesion të nderuar.

"Infermierët nuk përfaqësohen madje as atje ku diskutohet për të ardhmen e profesionit të tyre, apo për rritjen e cilësisë në shërbimin spitalor, gjëra këto që kanë të bëjnë në mënyrë direkte me rritjen profesionale të tij", - thekson Urdhri i Infermierit.

Sabri Skënderi, president i Urdhrit të Infermierit vlerëson se infermierët si sistem, nuk janë të përfaqësuar ashtu siç e meritojnë në nivele institucionale dhe të drejtimit spitalor, por as edhe në institucionet qendrore ku hartohen politikat shëndetësore dhe merren vendimmarrje të rëndësishme lidhur me të.

Problematika e dytë e evidentuar nga Urdhri i Infermierit është mungesa e veshjeve standarde

Gjatë takimeve, infermierët kanë ngritur edhe shqetësimin për një mungesë të standardizimit të veshjes së tyre.

Kjo në fakt është një detyrë institucionale për t'u përmbushur nga ana e spitaleve dhe është një dukuri e cila vihet re në të gjitha qytetet.

Duhet një veshje standarde dhe jo të lihet në varësinë personale të zgjedhjes së secilit prej tyre.

Urdhri i Infermierit, këtu vë në dukje dukurinë e mungesës së veshjeve standarde për të gjithë infermierët, e cila ka të bëjë me paraqitjen, si pjesë e etikës profesionale së tyre. "Duhet standardizuar veshja e infermierit dhe jo të lihet në varësinë të zgjedhjeve të ndryshme, pasi është pjesë e etikës profesionale", ka pohuar z. Skënderi.

Problematika e tretë e vërejtur është mungesa e rritjes profesionale. Skënderi thotë se ekzistojnë disa çështje të formimit të tyre profesional, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mangësi në arsimimin praktik të profesionit të tyre.

Edhe vetë funksionimi i Fakultetit të Infermierisë prej tyre nuk cilësohet i standardizuar.

Kjo sipas Urdhrit të Infermierit lidhet edhe me mospasjen e mundësisë për t'u kualifikuar më tej, nga infermierët, duke qenë se shumë prej tyre punojnë në zona periferike të izoluar. Në tërësi, ka mangësi në arsimimin praktik të profesionit të infermierit.

Ndërkohë, Urdhri i Infermierit, javën e ardhshme do të kryejë konferencat rajonale me infermierët dhe përfaqësues të instancave të tjera të shëndetësisë në Korçë, Berat, Gjirokastër, Kukës, Lezhë, Fier dhe Dibër, për t'u konkluduar në datën 12 maj me konferencën e madhe Kombëtare të Infermierisë.

k.k/NOA

KOMENTE