English

Kryepolici Prençi: Asnjë i ndaluar për Xhindin, hetojmë 9 persona

Tiranë, 3 Maj, NOA/VOA- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi i tha me telefon sot VOA-s, se deri tani policia nuk ka bërë ndalime lidhur me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi por nëntë dëshmitarë po merren në pyetje rreth kësaj ngjarjeje.

Më poshtë, vijon intervista e plotë Sa është zbardhur deri tani nga ngjarja?Deri tani ne po kryejmë veprimet hetimore në vendngjarje lidhur me provat materiale që cilësohen aty, me pyetjen e dëshmitarëve dhe thithjen e informacioneve nga gjithë territori që mbulojnë agjentët dhe oficerët e policisë. A ka ndonjë të ndaluar deri tani? Jo. Deri tani kemi vetëm dëshmitarë të shoqëruar që sqarojnë rrethana të dobishme mbi ngjarjen. Sa dëshmitarë jeni duke marrë në pyetje? Efektivisht në zyrat e drejtorisë së qarkut po pyeten 9 dëshmitarë. A ka ndonjë fakt domethënës që kanë nxjerrë ata lidhur me rrethanat e ngjarjes? Ne presim që të bëjmë një analizë përfundimtare të gjithë veprimeve që kemi kryer. Efektivisht po vazhdon puna nga shumë oficerë dhe prokurorë të krimeve të rënda dhe në mëngjes do të konludojmë mbi ato që kemi kryer dhe detyrat që do të bëjmë hap pas hapi deri në zbardhjen e plotë kësaj ngjarjeje. Cilat janë pistat që po analizoni deri tani? Nuk mund të përcaktojmë pista në këto momente që po flasim. Presim orët në vazhdim për të përcaktuar diçka. Sa policë janë angazhuar për këtë operacion? Përveç efektivave të policisë së Fierit, ne kemi vënë në shërbim të përforcuar të gjithë policinë në të gjithë vendin ndërkohë që në Fier kemi përqendruar ekspertët më të mirë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të Laboratorit Qendror Kriminalistik, të Mjekësisë Ligjore dhe specialistët e Drejtorisë së Krimeve të Rënda. Të gjithë jemi në krye të strukturave për të zhvilluar në kohë rekord veprimet hetimore dhe me cilësi të lartë procedurale. Personi që ka kryer vrasjen a është i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë? Është një akt mjaft i rëndë dhe absolutisht që është person me rrezikshmëri të lartë por detajet në vazhdim të hetimeve do të nxjerrin edhe autorin dhe motivet për të cilin e ka kryer këtë krim. A keni bllokuar rrugë në akset ku po bëhen kërkimet? Jo. Rrugët nuk janë të bllokuara por janë nën monitorimin e rreptë të policisë për të ushtruar kontrolle ndaj personave të dyshimtë.

KOMENTE