Tiranë 3 maj NOA - Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dënoi sot ashpër aktin kriminal që i mori jetën përfaqësuesit të popullit, Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhindi.
"Kjo vrasje ka prekur dhe ka tronditur rëndë mbarë opinionin shoqëror. KSHH i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimës" thuhej në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit lëshuar sot.
"KSHH i bën thirrje organeve të specializuara shtetërore që të angazhohen maksimalisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Hetimi i shpejtë, objektiv dhe i gjithanshëm i kësaj ngjarjeje kaq të rëndë dhe të dhimbshme do të zbulojë motivet e vërteta që kushtëzuan kryerjen e saj. KSHH rithekson me këtë rast domosdoshmërinë për më tepër siguri dhe stabilitet si dhe marrjen e masave efektive për parandalimin dhe koordinimin e luftës kundër kriminalitetit në tërësi dhe mbrojtjen e jetës së njeriut në mënyrë të veçantë" thuhej më tej në deklaratë.
k.k/NOA