Tiranë 3 maj NOA - Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko ka dalë sot në një konferencë për shtyp për të bërë të ditur vazhdimin e hetimeve për vrasjen e deputetit të PS Fatmir Xhindi.
"Menjëherë pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, ndodhur më datë 2.05.2009 rreth orës 21, në oborrin e shtëpisë së tij në Roskovec të rrethit Fier, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e drejtuesve të prokurorisë për krime të rënda, ekspertëve më të mirë të hetimit të krimit në policinë e shtetit, ekspertët të laboratorit shkencor, të institutit të mjekësisë ligjore, të strukturave të SHISH-it. Gjithashtu, të gjithë strukturat e policisë së shtetit kanë kaluar në shërbim të përforcuar për marrjen e masave kufizuese dhe kontrolluese të territorit ku mendohet të lëvizë ose strehohet autori i krimit të rëndë" deklaroi Branko.
"Deri në këtë fazë të hetimit janë kryer këto veprime si, këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, sekuestrimi i katër bërthamave të predhave dhe pesë copë këmishave të predhave, sekuestrimi i një pako aspirinë tabletë, sekuestrimi i një qese plasmasi, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes. Të gjitha këto prova janë vënë menjëherë në dispozicion të Laboratorit Qendror Kriminalistik dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore për përpunime dhe ekzaminime krahasuese të mëtejshme shkencore" shtoi me tej zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko. Â
Sipas tij, gjatë natës janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e dobishme të hetimit 10 shtetas, është hetuar dhe po hetohet hollësisht mbi aktivitetin e ditës së djeshme dhe më parë të viktimës.
"Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me institucione të tjera të zbatimit të ligjit po punon intensivisht për marrjen e informacioneve dhe analizimin e tyre me interes zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje shumë të rëndë. Policia e Shtetit fton çdo qytetarë të bashkëpunojë në dhënien e informacioneve për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe vë në dispozicion 250 mijë euro shpërblim duke ruajtur anonimatin. Për çdo informacion kontaktoni në numrat e telefonit 06941 03251 dhe 06941 07 507" përfundoi Branko.
k.k/NOA