Nga Dr. Sylë Bruqi
Fjalimi integral i Dr. Sylë Bruqit në emër të veteranëve të Luftës së Koshares mbajtur në Akademinë Përkujtimore në Prishtinë në kuadrin e dhjetëvjetorit të Luftës së Koshares, që u organizua nën Përkujdesjen e Presidentit të Kosovës dr. Fatmir Sejdiu. Akademia u mbajt më datën 19. 04. 2009, dhe shënonte edhe dhjetëvjetorin e rënies së Komandant Salih Çekaj. Autori thitë se ky fjalim i tij, nuk u pranua të publikohet në shtypin e Kosovës
Këto ditë, bëhen dhjetë vjet nga rënia heroike e atdhetarit, intelektualit dhe heroit të kombit, Salih Çekajt. Dhjetë vjet të përjetësimit të tij në piedestalin më të lartë të historisë së kombit.
Kaq vjet kujtesë dhe krenari. Dhjetë vjet angazhim dhe përkushtim në sendërtimin e idealeve për liri dhe pavarësi të atdheut.
Salih Çekaj u lind në Bërliq të Deçanit më 1956. Shkollimin fillor e kreu në Prapaqan dhe Isniq, ndërsa shkollën e mesme, gjimnazin në Deçan, më 1975. Pas kryerjes së shkollës së mesme u regjistrua në Akademinë Ushtarake në Beograd, por ende pa përfunduar viti shkollor përjashtohet nga shkolla, me arsyetimin se kinse nuk e njihte gjuhën serbo - kroate.
Detyrimisht ai kthehet në Kosovë dhe në vitin akademik 1977/1978, regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Pas përfundimit të studimeve u punësua në Gjykatën për kundërvajtje në Deçan, ku pas një kohe emërohet edhe kryetar i kësaj Gjykate. Periudha kohore kur punoi Salihu ishte një periudhë e vështirë, sidomos për shtresat intelektuale. Ai ishte përkrahës dhe pjesëmarrës i protestave dhe i demonstratave të viteve 1988 - 1990. Me formimin e LDK-së, në dhjetor të vitit 1989, ai anëtarësohet në këtë organizëm politik, ku kreu edhe shumë detyra me përgjegjësi dhe përkushtim të lartë profesional dhe kombëtar.
Pas deklaratës së 2 Korrikut të vitit 1990, dhe Kushtetutës së Kaçanikut 7 shtator, të po atij viti, ai së bashku me kolegët themeloi Shoqatën e Juristëve të Pavarur, në Deçan me që rast hartuan Statutin Komunal, konform Kushtetutës së Kaçanikut. Me këtë mund të themi se ishte njeriu i parë që po zbatonte ligjet dhe rregullat e Kushtetutës së Kosovës, në Kosovë Prandaj nga regjimi serb filluan përndjekjet dhe arrestimet e këtij grupi. Salihu, falë ndihmës së shokëve, arratiset dhe pas shumë peripecive vendoset në Shtutgart të Gjermanisë, ku vazhdon punën dhe aktivitetin në Zyrën e LDK-së.
Në vitin 1991, me qëllim të formimit të një force për veprimtari ushtarake me ndërmjetësimin e Zyrës së Kosovës, Salih Çekaj arrin në Shqipëri, ku fillimisht takon Ramiz Alinë, president i atëhershëm i Shqipërisë, por edhe zotin Sali Berisha dhe Azem Hajdarin, me të cilët bisedon për mundësitë e stërvitjeve ushtarake me karakter diversant. Kërkesa e të cilit u kurorëzua suksesivisht me fillimin e stërvitjeve ushtarake nga grupe të djemve të përzgjedhur nga Kosova dhe diaspora.
Në grupin e parë, në shtator të vitit 1991, fillojnë stërvitjet: Salih Çekaj, Zymer Lulaj, Zahir Pajaziti, etj.
Në grupin e dytë, merrnin pjesë Adem Jashari, Ilaz Kodra, Saim Tahiraj, Osman Ferizi, Jakup Nura si dhe përfaqësues të tjerë nga Gjilani, Mitrovica, Ferizaj etj. Salihu ishte aty.
Pas kryerjes së ushtrimeve, të grupit të parë në fund të shtatorit të vitit 1991, Salih Çekaj, së bashku me Zymer Lulajn, me uniforma ushtarake dhe armatim, kalojnë kufirin dhe ilegalisht, futen në Kosovë dhe pas mesnate takohen në Isniq me Rrustem Bruqin, tash dëshmor i kombit, të cilit i japin detyra konkrete për veprim brenda Kosovës.
Pas një muaji, grupi prej 30 vetash nën komandën e Salih Çekajt, në mesin e të cilëve, Adem Jashari, Zahir Pajaziti etj. nën përkujdesjen e sigurimit të shtetit Shqiptar, sjellin në Kosovë një sasi armatimi në fshatin strategjik të Vokshit dhe në fshatin malor Belle (vendi i të parëve të Salih Çekajt) që, më pastaj duhej shpërndarë nëpër Kosovë. Prandaj, s'ka dyshim se e vërteta është, kjo ishte bërthama e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë gjithë kohës Salih Çekaj ishte i angazhuar në dy fronte: Në atë ushtarak dhe diplomatik. Mbante kontakte të vazhdueshme me presidentin Dr. Ibrahim Rugova, Presidentin e Shqipërisë Dr. Sali Berisha dhe kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, z. Bujar Bukoshi, me presidentin e tashëm të Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, ndërsa nga profesor Fehmi Agani merrte detyra konkrete për veprimet e grupeve guerile. Gjithashtu mbante kontakte të vazhdueshme me strukturat shtetërore të Gjermanisë, që ndikuan në sensibilizimin e opinionit gjerman në kuptimin luftës së drejtë të popullit shqiptar të Kosovës.
Pas fillimit të luftës në Kosovë, Salih Çekaj luan një rol të rëndësishëm në unifikimin e faktorit politik dhe ushtarak. Ishte koha për veprime të domosdoshme dhe të ngutshme.
 Me rekomandimin e Ministrisë së Mbrojtjes formohen tri Brigada. Brigada 121, 131 dhe brigada 134, komanduar nga Kolonel Tahir Zemaj (si pjesë përbërëse e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës) që duhej të vepronte në Zonën Operative Dukagjinit. Me këtë rast Salih Çekaj me nofkën "Veterani", definitivisht lë politikën dhe angazhohet drejtpërdrejtë në frontet e luftës, ku merr pjesë edhe në betejën e famshme të Loxhës.
Rëniet e Zahir Pajazitit, Adem Jasharit, Rrustem Bruqit, Ahmet Krasniqit etj., për Salih Çekajn ishin goditje të rënda, por jo edhe thyerje, sepse ai do të angazhohet maksimalisht në forcimin e radhëve të UÇK-së përkundër vështirësive të vazhdueshme. Me propozimin e Salih Çekajt bëhet shkrirja e brigadës 131, komanduar nga Rrustem Berisha dhe brigada 134, komanduar nga Tahir Zemaj në një komandë të vetme me që rast komandant emërohet Rustem Berisha, shef i Shtabit emërohet Agim Ramadani, ndërsa Salih Çekaj komandant për moral dhe politikë. Në radhët e kësaj brigade inkuadrohen oficerë dhe ushtarë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga shtetet e tjera. Për përgatitje ushtarake u caktuan qendrat stërvitore në Babinë, Papaj, Rragom dhe Padesh.
Pas përgatitjeve intensive dhe formimit të strategjisë luftarake, merret edhe vendimi nga Ministria e Mbrojtjes nga i cili komanda e brigadës bëri një ndryshim nisur nga parimi se: lufta për çlirimin e vendit fillon nga njëra anë e kufirit dhe përfundon në skajin tjetër..., ku rekomandohen stafi komandues dhe oficerëve të tjerë të brigadës, për mësymjen dhe heqjen me luftë të armatosur të kufirit në mes Shqipërisë e Kosovës, vendim i cili u mor para fillimit të sulmeve të NATO-s. Ky akt, për të cilin ishin të njoftuara edhe Qeveria e përkohshme e Kosovës dhe instanca tjera, ndodhi në mëngjesin e hershëm të datës 9 prill të vitit 1999, në Kosharen legjendare, ku për afër tre muaj rresht u zhvillua një nga betejat dhe epopetë më të lavdishme të UÇK-së. Në këtë betejë ranë heroikisht në altarin e lirisë 121 dëshmorë të kombit, në mesin e të cilëve edhe tre dëshmorë të huaj. Ranë heroikisht Agim Ramadani, Ali Hasi, Abaz Thaqi, Xhemajl Fetahu etj. Lufta ishte e ashpër dhe pa ndërprerje.
Ndër betejat më të ashpra, ishte ajo e 19 prillit, të vitit 1999, në vendin e quajtur "Rrasa e Koshares" bie heroikisht, për të mos vdekur kurrë, veprimtari dhe atdhetari i shquar i kauzës sonë kombëtare, Salih Çekaj. Rënia e tij, ishte një humbje e madhe jo vetëm për Ushtrinë Çlirimtare, por edhe për spektrin politik mbarëkombëtar. Pas rënies së Salihut, kah përfundimi i luftës, brigadës i ndërrohet "shifra" GO3 dhe emërtohet "Brigada 138 Agim Ramadani", vendim me prapavijë politike dhe të dyshimtë për brigadën 131 dhe 134. Prandaj punët nuk po ecnin sipas vizionit të strategut Salih Çekaj, ato po hasnin "diku" në pengesa, intriga, shpifje, trillime dhe padrejtësi tjera të qëllimshme.
Mendojmë se është koha, momenti dhe në nderin e të gjithëve që e vërteta dhe meritat e secilit, e veçanërisht të Salih Çekajt të thuhen pa ekuivokë, pa hezitim e paragjykime. Kjo u takon shokëve të tij të veprimtarisë politike dhe veçanërisht ushtarake, sepse ndryshe po anashkalohet roli meritor i brigadës, mbase ndoshta është si pasojë e elasticitetit meskin e politik të disa pjesëtarëve të brigadës së dikurshme.
Të shpresojmë së fundi se gjërat do të qartësohen dhe korrigjohen, sepse të gjithë kemi borxh që duhet larë ndaj këtij njeriu. Sidoqoftë me punën dhe përkushtimin e tij prej politikani, atdhetari dhe ushtaraku, Salih Çekaj do të mbetet përherë në piedestalin e kujtesës sonë historike.
Lavdi dhe respekt veprës sublime të heroit të kombit.Â
Prishtinë,
Në emër të veteranëve
Dr. Sylë Bruqi
Shënim i NOA: Shkrimet e rubrikës "Opinion" nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimin e agjencisë NOA