Vlorë 4 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha ishte sot në qytetin e Vlorës ku zhvilloi një takim nxënës dhe studentë të cilëve u premtoi liberalizimin e vizave në mandatin e dytë.
"Ne do të punojmë së bashku për mandatin tonë të dytë, mandatin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, mandatin e shkollimit më të mirë të të rinjve shqiptarë, mandatin e një Shqipërie tjetër, e një Shqipërie evropiane." u shpreh Berisha.
"Vlora nga sot do të fillojë të ndërtojë parkun industrial. Vlora ka sot burimin e vet energjetik. Vlora do të ketë njërin prej porteve me të mëdha të Mesdheut. Ky qytet do të ketë aeroportin e tij, ndaj dhe ju do të ndiheni gjithnjë e më shumë si të rinj e të reja, qytetarë të metropolit të vërtetë evropian." shtoi më tej Berisha.
Sipas kryeministrit në Vlorë së shpejti do të nisin punimet për njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut, port i cili do të punësojë jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë.
"Për qeverisjen time, projekti i më i bukur i Shqipërisë, projekti më i bukur i Vlorës është në mendjen tuaj, në zemrat tuaja, në shpirtin tuaj. Ndaj dhe unë kam bërë zgjedhjen time, do të bëj gjithçka për ju që ju të bëni Vlorën dhe Shqipërinë ashtu siç ju e doni vetë. Në katër vite ne trefishuam numrin e studentëve nga 52 mijë në 150 mijë. Në katër vitet që vijnë ky numër do të arrijë në 160 mijë studentë" deklaroi kryeministri Berisha gjatë takimit në Vlorë.
k.k/NOA