English

Berisha, të rinjve: Takohem me ju, pas ngjarjeve të mëdha që ndryshuan Vlorën

Vlorë, 4 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha ishte sot në qytetin e Vlorës, ku zhvilloi një takim me të rinj e të reja, nxënës dhe studentë të këtij qyteti.

Berisha tha se ky takim zhvillohej pas dy ngjarjeve shumë të rëndësishme për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë, siç është anëtarësimi me të drejta të plota në NATO dhe paraqitja e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Vlora dhe Shqipëria kishin shekuj që prisnin këto dy data. Këto dy data sot janë realitet', u shpreh Kryeministri.

Duke theksuar se Vlora çdo ditë e më shumë bëhet metropol evropian i Shqipërisë, Kryeministri tha se Vlora është tashmë në rrugën e pakthyeshme drejt zhvillimit dhe modernizimit, për një jetë më të mirë për qytetarët e saj.

"Vlora është sot epiqendër turistike kryesore e vendit, Vlora ka sot një nga qendrat universitare më te fuqishme të vendit. Vlora nga sot do të fillojë të ndërtojë parkun industrial. Vlora ka sot burimin e vet energjetik. Vlora do të ketë njërin prej porteve me të mëdha të Mesdheut. Ky qytet do të ketë aeroportin e tij, ndaj dhe ju do të ndiheni gjithnjë e më shumë si të rinj e të reja, qytetarë të metropolit të vërtetë evropian".

Kryeministri premtoi se në mandatin e dytë qeverisës, liberalizimi i vizave do të jetë objektivi kryesor për t'u arritur.

"Ne do të punojmë së bashku për mandatin tonë të dytë, për mandatin tuaj, mandatin e ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, mandatin e horizonteve të reja, e ëndrrave të shndërruara në realitet, mandatin e Vlorës metropol evropian, mandatin lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, mandatin e shkollimit më të mirë të të rinjve shqiptarë, mandatin e një Shqipërie tjetër, e një Shqipërie evropiane", vijoi Kryeministri.

Në katër vitet që vijnë, - theksoi Berisha, - arsimi do të jetë përparësia jonë më madhore. "Në katër vitet që vijnë, nuk do të ketë të ri, që mbaron shkollën 9 vjeçare, që të mos vazhdojë shkollën e mesme, në rast se ai dëshiron, nuk do të ketë të ri që mbaron shkollën e mesme dhe nuk vazhdon universitetin, në rast se ai dëshiron", - përfundoi kryetari i qeverisë.

e.l/NOA

KOMENTE