Tiranë, 4 maj, NOA - Gjykata e Tiranës ka shtyrë për një javë më vonë marrjen në shqyrtim për gjykim të ankimimit të biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, pasi seanca e sotme dështoi për shkak të mosparaqitjes së të interesuarve.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, nuk kanë paraqitur në seancë dy avokatët e Fazlliç dhe prandaj gjykatësit vendosën shtyrjen e procesit.
Në përputhje me procedurat zyrtare, sot ishte parashikuar nga gjyqtari Gjin Gjoni që të merrej në shqyrtim kërkesa penale e Fazlliç, i cili kërkon ndërprerjen e hetimeve me argumentimin se po zgjaten pa asnjë shkak dhe jashtë çdo afati ligjor.
Biznesmeni Fazliç u vu nën hetim 7 muaj më parë, pasi dyshohej për pastrim parash.
Ndërkaq lidhur me këtë çështje, së fundmi, prokuroria i ka kërkon informacion shtesë ministrisë së Drejtësisë për fatin e letërporosive.
"Kemi kërkuar informacion për letërporositë që kemi dërguar në Angli, Qipro, Bosnje, Zvicër dhe Kroaci, mbi bazën e të cilave do të vendoset për fatin e dosjes", kanë thënë burime nga prokuroria, të cilët shtojnë se mbi bazën e informacioneve të ardhura nga këto vende, do të vendoset dhe për fatin e dosjes hetimore ndaj biznesmenit serbo-boshnjak.
n.e/NOA