Paris, 4 maj, NOA - Çifti francez nga Parisi, Cyrille Pinardon dhe Rose Sanz, të dy 40 vjeçarë, punonjës të Postës Franceze, kanë nisur një udhëtim rreth botës me biçikleta. Ashtu sikurse edhe të tjerë para tyre, ata kanë pasur si qëllim të njihen me vende e popuj të ndryshëm, të transmetojnë mesazhe paqeje dhe mirëkuptimi ndërkombëtar.
Pas dy muajsh nga nisja prej Parizit, ata mbërritën në Tiranë dhe po rrinw bashkw me inxhinierin Shaban Hasani, me të cilin i bashkon një ideal i përbashkët: Gjuha Esperanto, gjuhë e miqësisë dhe e mirëkuptimit midis kombësve të ndryshëm, që mëton të jetë edhe gjuhë pune e organizatave politike dhe shoqërore ndërkombëtare.
Që në fillimet e shekullit të kaluar, Esperanto u përqafua nga Shoqata Botërore e Postë-telegrafave si shumë e përshtatshme për komunikim; po ashtu edhe nga sindikatat e hekurudhorëve që tradicionalisht kanë shërbyer edhe si ura bashkimi ndërmjet shteteve e kombeve që kur lindën hekurudhat. Shumë organizma të tjerë ndërkombëtarë kanë treguar interes për këtë gjuhë ndihmëse të krijuar në vitin 1887 nga Ludvig Zamenhov, i cili këtë vit ka 150 vjetorin e lindjes.
Kongresi botëror vjetor i esperantistëve mbahet këtë vit pikërisht në Bjalistok të Polonisë, vendlindja e Zamenhovit. Biçiklistët francezë, me këtë rast, sjellin mesazhe edhe për Postën Shqiptare që edhe ajo të emetojë një pullë të veçantë për Esperanton sikurse kanë vepruar shumë shtete të tjera. Mos të harrojmë se Shqipëria, nëpërmjet ministrit të saj të arsimit, që në vitin 1922, propozoi krahas disa shteteve të tjera në Lidhjen e Kombeve që Esperanto të futet në programin shkollor që në ciklin fillor.
n.e/NOA
Â