English

Drama dhe bukuria e një jete midis shumë qyteteve

AGIM SHEHU/ Flet poeti, shkrimtari, studiuesi, i persekutuari i letrave shqipe në diktaturë.

 Z.Shehu, mesa kam lexuar, e kujtoni gjithmonë me dashuri vendlindjen. - Është qënia ime e parë. Për një gjë që s'bëhej, im atë e përforconte: « kur të zësh qiellin me dorë»! Ne, fëmijëve na dukej se qielli qe puthur me malet te majat e tyre dhe tërë bota qe fshati ynë. Për t'u bindur, një ditë u ngjitëm majë Shullërit, thua atje do preknim qiellin e çuditshëm. Kur arritëm sipër qielli qe ngjitur shumë më lart; hapwsira gjer tutje Vjosës e Tomorrit shtrihej pa kufi. Na kapi trishtimi, po aq dhe një lloj mrekullie për pafundësinë e botës, përtej hapwsirës së fshatit tonë. Ne mbeteshim ende të vegjël për të. Këndezët e mëhallave i këndonin njwri-tjetrit duke na thirrur afër shtëpive.

Do të doja ndonjë kujtim tjetër fëmijwrie nga fshati ynë i bukur?!..-

- Gëte thotë me gjuhë fëmije: «Në do të dish si janë qershitë e manaferrat, pyet fëmijët e harabelat»! Janë kujtime të largëta e kur bëj t'i sjell në mënd, nxjerrin fytyrën si nga mjegulla mitologjie pasi më njohin. Jeta jonë zgjatur nëpër vite u ngjan rrathëve të ujit që hapen njwri pas tjetrit në harmoni simetrie me shoqja shoqen. «Guri» lëshuar në ujë prej ku nisin rrathët, është djepi i fëminisë. -

E mbani mend djepin tuaj?-

- Kur qe imi s'e mbaj mënd, por e kujtoj kur u bë dhe i fëmijëve më të vegjël që u futën brënda tij. Qe me dru thane. Në ballë, gjyshi nga nëna kish gdhëndur me biçak një shqiponjë. I thanë se atë e kish bërë ca të ashpër, si me dëshirë sherri ... «Ka grekun përpara që s'na lë rehat» qe përgjigjur. (Në luftë me të më 1914 qe goditur me plumb në pulpë të këmbës e plumbi i lëvizi brenda disa kohë gjersa vdiq).

Ku e nisët shkollën?

- Klasën e parë e nisa nën 6 vjeç. Kur vajtën motrat e mëdha, u shtriva duke qarë pse më lanë vetëm! Im atë më çoi me to. Isha topolak i shkurtër sa në bankë dukesha nga qafa e lart dhe mësuesi kur më pyeste më hipte sipër bankës. Qe një mësues i paharrueshëm, Ahmet Idrizi nga Libohova, me dhëmbshuri prej rilindasi, me mustaqe të hijshme prej fisniku...Nga ai i mbaj mënd së pari vargjet e Fishtës që i këndonim këngë: «Edhe hana do ta dijë/, edhe djelli do t'ketë pa/ se përqark ksaj rrokullije/ si Shqipnia vend nuk ka». Binte borë e madhe dimri. Me sy nga hapsira e bardhë, e tërë klasa pas mësuesit recitonim Asdrenin: «Bie bora fije-fije/, pa shikoni sa ka hije/, mbulon dërrasat e zbardh dhenë/, s'kanë zogjtë ku të venë…». Futur brenda rrapit përballë shkollës, zogjtë pasi dëgjonin që u qanim hallin, afroheshin te dritarja duke shpupulitur dëborën nga pendët, e me sqepin e hapur na dëftonin formën e gërmës së madhe «A» të shtypit.

Si vazhdoi shkolla?-

- U mbyll se nisi lufta itelo-greke. Familjet u futën shpellave. Nuk e harroj ngjarjen në Golem: grekët që thanë se vinin të luftonin fashizmin, një natë gërmonin poshtë shtëpisë së Mustafare në buzë për të ngritur fshehur themelet e një kishe greke (fshati digjej, k…krihej). Dajua me një tjetër i dalluan, i përgjuan dhe vanë ua prishën në mesnatë. Grekët e kuptuan që u zbuluan, dhe vanë gjetkë. Bagëti s'kishim; na dogjën shtëpinë e pas Lufte vamë në Gjirokastër. Mbarova 7-vjeçaren në «Koto Hoxhi» e hyra në gjimnaz..

Si e njohët atmosferën e gjimnazit?

- Lirizmi i moshës shkiste sipër këngëve partizane. Ne, nxënësit qemë dy lloje: shumica, ardhur për të mësuar qetë kulturë dhe shtresa tjetër, kryesisht konviktorë nga fshatra e rrethe të tjerë që hiqeshin besnikët e pushtetit! Ata të bënin gjëmën. Me një thirrje të tyre, turma nxënësish iu turrën duke rrahur pedagogun e vet, Rrepishtin, se kish thënë që rinia këndon sot për Titon siç këndonte dje për Duçen!

Si ju lindi ideja për poezi?

- I thuhet nganjëherë letrarit: «Shih ç'natyrë e bukur! Frymëzohu»! Natyra apo ngjarja mund të jetë e bukur, por ajo kërkon që dhe njeriu të jetë ndërtuar me strukturë poezie brrnda vetes. Filozofi Dekart gjykon: «Mendja e njeriut zotëron disa ide fillestare të trashëguara që nga lindja si prirje të veçanta». Gëte gjithashtu: «Poeti i vërtetë e ka të lindur aftësinë e njohjes së jetës; për pasqyrimin e saj nuk i nevojitet ndonjë përvojë apo empirizëm i madh». Truri i talentit bashkë me shpirtin e tij është një ndërtim me plastikë të tillë të ndjeshme, e prirë që me t'i ardhur trokitja e botës nga jashtë, vihet në lëvizje brënda e në harmoni me të krijon artin. Bota e jashtme që është lëndë arti thërritet nga bota e brendshme e krijuesit, siç bashkëpunon një radiodhënëse me radiomarrësen në të njwjtat valë. Sigurisht talenti rri sipër punës si busti sipër piedestalit.

Kur e keni shkruar poezinë e parë? -

- Isha 13 vjeç kur «Pionieri» më botoi vjershën «Debatiku» (kuptohet ç'vargje qenë)! S'më besohej që ishte emri im ai në fund të vjershës te gazeta! I shqiptoja shkronjat një nga një, pastaj i lexoja bashkë! Gazetën ca ditë e mbaja në nënkreje tek flija.

Ndonjë mbresë të veçantë nga gjimnazi?

- Ngjitur me shkollën qe palestra e madhe. Ditën bëhej gjyqi i armiqve të popullit; në darkë bëheshin mbrëmje vallwzimi. Shumë vallwzues mbanin ende veshja partizane prej oficeri. Djersinin më shumë që të rrotullonin vajzat se sa kur ndiqnin armikun!..Gjykohej vëllai i nënës sime, ish- truproja besnike e komandantit të Ballit Kombëtar, Ismail Golemi (pushkatuar më parë). Mësuesi spjegonte në klasë, e unë me mëndje dëgjoja klithmën e prokurorit (P. K.) kundër dajos tim. Në pushim nxitoja para shokëve e hyja në sallën e mbushur plot. Zgjatesha majë gishtave të shihja dajon…Zilja e mësimit kish rënë. Kujtohesha, e hyja vonë në klasë. Mësuesi i mirë më shihte me sy në përlotje e si të më kuptonte, më thoshte butë - ulu !

Pas maturës u dërguat për veteriner, sado me nota shumë të mira

- Qe vlerësim për familjet me dyshim klasor. Im atë në natyrë të tij s'e ulte veten. Guxova shkova te Bedri Spahiu, ministër Arsimi, e i qava hallin. Në fund i thashë se gjatë Luftës im atë në fshat priti për darkë në shtëpi të shoqen e tij bashkë me Memo Meton, si «aktivistë partie»..! Më pa me vëmëndje. Ndjeva se isha futur i tëri brënda syve të tij tepër inteligjentë. «Ik» më tha ngrohtësisht e më dha dorën si miratim të lutjes. Dola. Ndërrimi i fakultetit prej tij ngeci diku. E ndërova në marrëveshje me një myzeqar.

Në fakultet kishit një rreth letrar të fuqishëm.

- Me emra kryesorë që më pas do mbulonin letërsinë shqipe. Pedagogu ynë i nderuar Jakov Xoxa kish bërë një poemë-dramë «Buçet Osumi» dhe para botimit do ta diskutonte në rrethin letrar të studentëve të tij. Ne pothuaj ia hodhëm poshtë profesorit; vlerësimin e botuam krenarisht në «Nëntori» me titullin pozant latin: «Ab ovo usque ad malum».

- Si e kalonit jetën bashkë si krijues studentë!?

-Të përzemërt. Dekani Bedri Dedja, shkrimtar e shok me ne, dërgon urdhër te drejtori i konviktit të vajzave që aty t'u japë një dhomë të zgjedhur katër talenteve më me zë në gjithë Ballkanin (!): I. Kadare, Dh. Xhuvani, Dh. Qirjazi dhe unë, pasi kanë nevojë për mjedis të veçantë frymëzimi! Drejtori i konviktit, M. Zhegu, një tiranas i çiltër, ish partizan, e mori tepër seriozisht porosinë, thua bëhej fjalë për fatin e letërsisë! Thirri me urdhër pune shërbyeset për të na rregulluar dhomën 17. Ditën e caktuar hymë tepër të edukuar njeri pas tjetrit. Vajzat na shihnin fshehur tek ecnim si të përvuajtur! Në duar mbanim një radio të vogël blerë me honoraret e botimeve. Ato në dritare e shoqëronin me sy si një gjë të rrallë atwherw, si fat dhe për to. «Gëzoni, gëzoni, po në grackën e saj do bini!» u kish thënë shoqeve një vlonjate serioze. Në atë ndërtesë vajzash qe dhe një dhomë me 4 studentë të tjerë; qenë të moshuar, me pizhama të hekurosura. Të shtunave u vinin gratë e pas pak minutash paradhoma e gjatë binte erë gjellë. Studentet qenë mësuar me ta si dallandyshet pranë deleve, kurse për dhomën tonë dyshonin si të qe shpellë me skifterë.

13 vjet mësues në një skaj të jugut, tepër gjatë dhe vështirë!-

- Tepër vështirë jo vetëm si kohë në qark të mbyllur, por dhe si jetë me një pushtet ku në tërësi zyrtarët i zgjidhte sa të ligj në shpirt dhe të mangët në tru. Vendi i ngushtë në tërësi të ngushton shpirtin. Qe një robëri e fshehur ku njeriu qe skllav i komitetit skllavopronar. Më kish kërkuar një herë një redaksi pa ditur gjë unë, e sekretari i komitetit, më thotë tërë mllef mes nxënësve: «Kërkon të ikësh në kryeqytet! Po Gjirokastrën kujt do t'ia lwsh, grekut»!? U hutova, pastaj s'di si ia ktheva: «Më falni, ju kur u larguat për në ambasada, jeni dhe gjinokastrit, kujt ia latë Gjinokastrën, grekut»!? Nxënësit mbanin me zor të qeshurën e u mënjanuan. Sigurisht mbijetesa prodhon format më të çuditshme të përshtatjes. Veçanërisht në kontrollet, zgjidhnim citatet më pikante të udhëheqjes për të përcjellë spjegimet në klasë.-

E megjithatë, keni bërë dhe estradat aq të gëzueshme sa, siç thuhet, konkuronit qytetin!

- I donin nxënësit. Shpesh trishtimi kërkon këngën për t'u shkarkuar.

- Martesën ju e bëtë, kundër çdo rregulli, në dhjetor!

- Qe martesë me dimër. Ca thanë të bëhej, ca të mos bëhej! Sipër vellos së saj binte dëborë (këtë dhjetor mbushim 50 vjet, e në Zvicër bashkëjetesa e gjatë nderohet si gjë e rrallë). Lindja e dy fëmijëve dyzakë i pruri gëzim shtëpisë, ashtu si mua do më rriste përmasat për t'u vënë në shenjë më saktë. Ime shoqe si vlonjate zbatoi natyrshëm gjykimin e Ismail Bej Vlorës se gruaja shqiptare hijeshinë e vetes tanimë e lë t'i lexohet te fëmijët.

Dhe si duruat 10 vjet me kazmë internimi në Metalurgji?-

- Ismail Bej Vlora thotë në Kujtime se kur s'ke ç'bën, duhet duruar për ta konservuar veten në një kohë më të përshtatshme! U çova për dy vjet riedukim nga klasa, e më lanë 10 vjet për vetëshkatërrim nga vetja. Nënkryetari i Komitetit në Elbasan, një shok imi i mirë në gjimnaz, Idriz Çomo, më shihte tërë dhimbje me karrocë dore nëpër baltra; më tërhiqte në klub, e një ditë më këshilloi: «Bën një poemë për Metalurgjinë, se thonë pse hesht e s'po frymëzohesh nga klasa! Me këtë do të të lënë të largohesh»! «Mua s'më beson njeri dhe po t'u bëj qejfin! Kam shkruar për ta e më prunë këtu»! Megjithtë u ula bëra një vjershë të gjatë për Metalurgjinë e ma botoi drejtuesi dashamirës i «Dritës». Më thërret befas për gjyq sekretari i Lidhjes, (A.C). U habita kur mikun e butë e të mirë e pashë me pllanga të kuqe në fytyrë nga serioziteti i misionit! E nisi kërcënueshëm pa më parë në sy: «Kujt ia drejton strofën antiparti (dhe tendosi gishtin në gazetë duke e cituar): «Rri mirë të them dhe ty që të kam ngritur lart/, pushtetit mos i vur dhjamë kolltuku/, ndryshe të zbres nga kali e të ul në baltë/, ndryshe kërcijt t'i thyej me hosten të bujkut»! Po baltos kuadrot e partisë» shtoi…«Janë fjalët e Udhëheqësit në gojën e klasës puntore» spjegova unë. «Ik, mendohu të na thuash nga kush i ke e për kë i ke! Partia po pret»! U çova. Mendova t'i jap dorën por ai ktheu krahët. Nga kjo, m'u shtuan dhe 5 vjet dënim. (Në demokraci ai merr pension të veçantë nga kryeministri Meksi, kurse mua, megjithë ndërhyrjen e të nderuarit Uran Butka, nuk m'u dha). Më tej ish sekretari i Lidhjes në një Intervistë «demokracie» thotë lodrat e fjalëve: «Duhet të jemi të sinqertë gjer në dhimbje»! Ia kërkova dhe ende nuk ma ka thënë «sinqeritetin gjer në dhimbje» të tij: ai terrorizim ndaj meje që më kushtoi aq shtrenjtë qe nga shpirti i tij apo nga porosia e dikujt»!?-

Kish të tjerë të dënuar në Metalurgji ?

- Sigurisht. Kishim etje për njerëz, por të dënuarit ruheshin dhe nga njwri-tjetri. Hyja në vagon të trenit; shihja Ali Osekun e nxitoja kokulur për në vagonin tjetër; aty shihja Qamil Buxhelin e nisesha gjetkë; shihja Pano Taçin e vrapoja më tej. Takoja në Bekim Gaçen dhe ecja më tutje. Treni nisej e unë ecja brënda tij: takoja Sadri Ahmetin e vazhdoja më thellë. Dalloja Nasho Nathanailin, përsëri më tutje…Ironi e historisë: vagona mbushur me «armiq» të partisë që venin në Metalurgji të bënin «çlirimin e dytë të Shqipërisë»!.

Si e pritët demokracinë?

- Demokracia nisi keq qysh kur drejtuesit e hapën siparin duke lavdëruar diktatorin. Shtypi ynë gjer dhe Zëri i Amerikës nisi intervistat kryesisht me të privilegjuarit e diktaturës, me nxënësit e gruas së diktatorit në Institutin famëkeq të saj M.-L. që shpallën publikisht se «populli ynë nuk është i përgatitur për pluralizëm(!). Pitagora thoshte qyshkur: «Në enën e papastër edhe mjalta më e ëmbël bëhet e hidhur». Ky reaksion ndotës rjedh nga strukturat më të mëdha të shtetit te qeliza e familjes. Kjo bëhet në heshtje, si pa zë, mbuluar me zhurmë debatesh shterpë pluralizmi. Si kurrë ndonjëherë te shqiptarët, shitja e Atdheut për pasurim është bërë biznes: «sa jep të ta shes»! Prodhohen kështu ngjarje të papërfytyrueshme. Njërit i vdes shoku borxhli, e ai vete i ngre pllakën e varrit: «Ngreu më laj borxhin, pastaj bjer prapë»! Mjeshtri i madh Pirro Mani tregon në njw intervistë se vajti në Shqipëri të shihte vendin, të shihte dhe varrin që e kish blerë para kohe. Por atë ia kish zënë një tjetër dhe qe futur brenda para tij!..-

Si i duron këto populli ynë krenar?

- Ndodh dhe kjo: populli krijon qeverinë e vet, dhe qeveria krijon popullin e saj (një dijetar thotë se njerëzit qeverisen më lehtë përmes veseve se përmes virtyteve). Janë dhjetra mekanizma, të dukshme e të padukshme që punojnë për këtë fenomen. Russoi shkruan (si për Shqipërinë sot): «Populli nuk është kurrë i korruptuar, por shpesh mashtrohet dhe në kësi rastesh ai duket se e dëshiron atë të keqe». Midis popullit dhe drejtuesve është vënë një shtresë intelektualësh e mediash të mjerueshme (si shtresa ndotëse parë nga Dajti sipër kryeqytetit). Ata e mbulojnë të vërtetën tërë plagë. Pyetjet e intervistës diktatorëve ua bëjnë te peneli i ngjyrave me të cilat ata mbulojnë gjakun në duart e veta. Ka publicistë të mprehtë e të guximshëm, sa demokratë dhe kombëtarë, ndoshta shpresa për mënjanimin e së keqes po, për mendimin tim ndër ta herë herë goditet njëra anë kurse ana tjetër, «siamezja» alternative e së parës lihet në heshtje (është njëlloj si letrës së kumarit t'i shash njerën anë e t'i mburrësh anën tjetër). Nga përvoja e hidhur, do qe mirë që tanimë zgjedhësit duhet t'i kërkojnë të zgjedhurit zotimin publik, se po shkeli premtimet e po mashtroi, t'i hiqet menjëherë mandati e të zgjidhet tjetri!-

Si mund të marrë udhë drejt Shqipëria ?

-Ka më të mënçur që mund ta thonë, por unë mendoj se në drejtim parësor të demokracisë duhet të jenë ata që kanë vuajtur nga diktatura: përfaqësuesit e sprovuar të të persekutuarve dhe pronarëve të ligjshëm të zhgënjyer tanimë nga «demokracia»; intelektualë të ndershëm e vizionarë me dëshmi atdhetarizmi të pakorruptueshëm sprovuar në jetën e tyre dhe në prejardhje disa breza.

Mos preken të drejtat e njeriut?

-Gjithkush ka të drejtë të gëzojë «të drejtat» e tij të njeriut, por kjo nuk do të thotë që gjithkush, edhe me pikëpyetje antishqiptare në jetën e tij e të prindërve ka të drejtë të udhëheqë nga lart jetën time (dhelprës s'i besohen mëlçitë në qafë). Mendoj se ai i cili do ngrihet në pozitë qeverie a kuvëndi, më mirë se të dëshmojë që është «patriot», duhet të vërtetojë bindshëm se nuk është sidomos brenda dosjeve me agjentë tek të huajt (të cilat çuditërish «humbën»(!). Edhe nga dyshimi për to, moshatarët e tyre duhet të mënjanohen në punë të tyre. Ndryshe, e keqja do vazhdojë zinxhir e Shqipëria gjithmonë do rrijë mbi mina .

Në ekran reklamohen ca të rinj si politikanët e ardhshëm…

- Kush tha se pjekuria dhe atdhetarizmi janë çështje moshe!? Mos duhej të qe një i ri në vend të plakut gjeni Ismail Bej Vlora apo Ymer Prizreni!? Një forumi në Europë i thanë se pse kishin caktuar në udhëheqje të vëndit një të moshuar, edhe pse qe i denjë! Dhe përgjigja: «Sepse më të moshuarit si ky kanë vdekur».

Për ish të persekutuarit u ngrit Muzeu i krimeve të diktaturës…

-Para Muzeut për plagët, ata tanimë duan shpërblimin e merituar për ato plagë, duan bukë dhe dinjitet për familjet e tyre. Duan të dinë: kush përgjigjet për shtesën e persekutimit dhe fyerjes së tyre prej gati 20 vjetësh dhe në «demokraci»?! Kush do t'i qetësojë në varre ata që ikën me këtë ç'gënjim!?-

Po sikur persekutuesit e tyre të shfaqin pendimin!?

- Nuk do ta bëjnë. Mbi të gjitha, mendoj se tanimë është vonë. Dhe po ndodhi diku, do jetë lojë. Është njëlloj si ujku t'u thotë i vonuar deleve «më falni» dhe të largohet me njerën prej tyre në dhëmbë. Në Poloni, tej dënimit të diktaturës mendohet ligji: shpërblimi mujor që Sigurimi u shtonte dje bashkëpunëtorëve, sot t'u zbritet nga rroga apo pensioni e t'u jepet viktimave të tyre në familje. Veprim tepër i drejtë! Nuk di si e përballon ankthin e detyrës drejtësia kur tek mban në duar dosjen e parë, sipër i vërshojnë të tjerat!

A jeni takuar me Nanon apo Berishën?-

- Asnjëherë. S'më kanë dashur dhe s'i kam dashur; me ndryshimin që unë mendimin tim për ta e kam thënë hapur.

Lini përshtypjen se ata kanë vepruar dhe fshehur kundër jush, gjer te mërgimi i detyruar…

- Është temë tjetër. Volteri thotë: «Është e rrezikshme të kesh të drejtë kur pushteti është i shtrembër». Me Nanon kam një «njohje» origjinale: Në Metalurgji do bëhej konkurim estradash i ndërmarjeve. Drejtoria më tha se, po të fitonim do më lehtësohej kthimi në familje. M'u desh të shtrydhja veten për humor si panxharin për sheqer! Thirra humorin nga Gjirokastra e u vesha rroba Kombinati. Në Klubin e Metalurgjisë nisi konkurimi. Unë rrija te menca afër me një kafe përpara (prania ime dëmtonte). Prisja ndonjë lajm nga salla ku ndesheshin grupet. Herë herë te vetja ndjeja Egjeun që priste nga deti anijet e të birit, Tezeut, nëse do kthehej fitimtar me velën e bardhë sipër, apo i mundur me velë të zezë! Salla shpërtheu nga të qeshurat. Erdhi lajmëtari e më tha se grupi po shkëlqente! M'u ngroh zëmra (Tezeu po kthehej me vela të bardhë)…Fatos Nano, s'di pse kish ardhur, qe në mes të komisionit vlerësues. Tek estrada jonë hidhej gëzueshëm përpjetë si kukull lidhur me spango te karrigja, e thwrriste: «Kjo shfaqje përjashtohet» (dmth e ka të fituar). Në fund pyeti për autorin. I thanë emrin tim. U step menjë herë e foli nën zë: «Unë e thashë, kjo shfaqje përjashtohet, ka probleme! Nuk mund të vlerësojmë një të dënuar. Ju e dini ku punoj unë!..» Drejtori im u nxi. Aktorët ulën kokën në zi. M'u kujtua këshilla e Niçes: «Mos shko ndër njerëz, rri në pyll! Shko te kafshët! Pse nuk do që të bëhesh si unë: ari mes arinjve, zog mes zogjve»!-

Thonë, ju këmbëngulni te rreziku nga Greqia!-

- Greqia këmbëngul në rrezikimin e Shqipërisë. Më 1886 miku i tij historian Çesar Kantu i shkruante De Radës: «Nuk më pëlqen ai të ngritur zëri i vazhdueshëm juaji kundër Greqisë»! Dhe përgjigja: «Helenët ëndërojnë të rimëkëmbin Perandorinë Bizantine, që për ta do të thotë Perandori greke, ndërsa për Shqipërinë kanë përcaktuar që ajo të jetë ‘pema e egër' për t'u shartuar, duke vënë në të gjuhën e tyre dhe sundimin e tyre» (e thënë si për sot). Kur thonjtë vazhdojnë të rriten, dhe ti do ta mbash gërshërën në dorë. Gëte përforcon këtë qëndrim: «Për të vërtetën duhet folur vazhdimisht, se rreth nesh po ashtu thuhet gënjeshtra…Nëpër gazeta e Enciklopedira, në shkolla e Universitete gënjeshtra është gjithënjë në krye të vëndit e ajo ndihet e qetë dhe e sigurt se e di që ka shumicën me vete». Këmbënguljen për të mbrojtur dhe me vetëflijim Atdheun, Hygo e shpreh po aq bukur: «Një mijë në qëndrofshin, mes tyre jam dhe vetë/. Po mbenë 100 vetë, më ke në atë shumë/. Po qe se mbetën dhjetë, jam njëri ndër të dhjetë/, e nëse Një do mbetet, ai Njëshi do jem unë». Helenizmi është maskë e bukur mbi fytyrën e shëmtuar. Ai i prin greqizimit siç i prin drita përzhitjes së rrufesë.

- A nuk keni frikë nga këto kundërvënie?

-E di. Kur u vra Kenedi, Noli tha: «Ajo që i ndodhi Kenedit mund t'i ndodhë secilit prej nesh…Plumbi mund të vijë në çdo çast nga qoshja tjetër». Jam në mbyllje të jetës e mbahem me ilaçe Zvicre. Ikja prej goditjes shovene do më qe zbukurim i vdekjes. Vonesa e ardhjes në vëndlindje nuk është pra nga frika.

Botuat përmbledhjen e poezive më të mira «E zgjedhura ime»!-

- U botua, por librat e mia në vendlindje tani bëjnë jetë disi ilegale! Ndoshta nga qëndrimi kërcënues i shtetit ndaj autorit, vlerësimet që u dërgohen, mediat në tërësi ngurojnë t'i botojnë.

- Ka debate, «po» dhe «kundër» për krijuesit. Shpesh gjykimi nga qëndra problemore luhatet në anësore, subjektive…-

- Mendoj, vlera e krijuesit harmonizon me karakterin. Si do vlerësojnë brezat e ardhmë - është punë e tyre; por brezi i sotëm që ngarkon plagët e kohës së përbashkët me autorin në diktaturë, nuk i shmanget dot edhe gjykimit për sjellje të tjera, kur ti hyn vetë në ato gjykime. Sartri thotë: «…Artisti do gjykohet jo vetëm nga vlerat e tij të artit; në arritjen e shumës së përgjithshme për të ndikojnë njëmijë gjëra të tjera».-

A nuk ka dhe teprime dashakeqe kundër talenteve?

- E pashmangshme. Çdo gjë, atje ku preket do japë kundërpërgjigjen. Kjo ndodh sidomos nga segmentet e goditura të diktaturës të cilat talentit s'ia falin kundërvënien. Ndodh dhe te shpirtërat me zili të zezë. Gëte e spjegon bukur: «Ziliqarët s'ma falin dot lumturinë dhe pozitën e nderuar në shoqëri, që të më ulin emrin, të më çdukin! Po të bëhesha befas fatkeq, do ma falnin e do më linin të qetë». (Është veçanërisht e pikëllueshme kur kolegë të tu duke shfrytëzuar përparësi si në monizëm, shpifin gjithandej pas krahësh të të njollosin te rrethi i tyre, kur ti hesht me fisnikëri kolegu për dëshmi tronditëse ndaj tyre në të kaluarën! Por kjo është temë tjetër).

Mendoj, te motivet kombëtare nga e kaluara keni poezitë më të mira.

- Në të tilla motive, përfshi dhe ato intime, krijuesi tregonte veten e mirëfilltë. Largimi në motivet e kaluara ku lihej mënjanë thirrja e mërzitshme e shtetit për aktualitetin, qe në një farë mënyre një «arratisje jashtë shtetit» sipër krahëve të letërsisë. Nëse hapsira e ditës s'ta jepte motivin e lirë, autori ia kërkonte, aq sa mundëte apo guxonte secili, thellësisë së kohës apo thellësisë intime të shpirtit. Te krijimi harmonik i botës Fjala e shkrimtarit të talentuar ka vënd parësor kur botën e japin më të vërtetë nga sa e jep rastësia. -

Ndonjë shembull!

- Shoqëria franceze njihet më mirë nga veprat e Balzakut se librat e historianëve («pas çdo pasurie të madhe fshihet dhe një krim» shkruante ai). Makbethi ka qënë historikisht një feudal atdhetar skocez që shprehte kundërshtimin e popullit të tij ndaj pushtuesve anglezë dhe mbretit të tyre. Hyri në penën plot lemeri të tragjedianit, dhe doli nga vrasës i pushtuesit në kriminel prej egoizmit! Një studjues thotë bukur se, sikur Don Kishoti dhe Sançua të qenë krijuar nga Zoti, do qenë harruar.

Si ju duket zhvillimi letrar sot, talentet apo kritika?

- Krijimi letrar ka jetën e vet. Dje kish përballë kushtet ideologjike; sot ka ngushtësinë ekonomike. Dalin shumë krijues të rinj. S'ka asgjë të keqe. Të talentuarit që do shkëlqejnë do dalin prej tërësisë së tyre. Ata që s'do ecin më tej e ngarkojnë vetë në shpinë fatin e tyre. Shqiptarët janë popull me psikologji mbretërore e ndjeshmëri artistike. Njeri tjetrin edhe te stani i tyre e urojnë: «rrofsh e mbretërofsh!», thua dhe delja hairin e ka në mbretëri! Edhe tek lëron arën, thotë «jam mbret në punën time» thua dhe parmënda me kaun kërkojnë qeverisjen e mbretit! Po ashtu për shpirtin artistik. Edhe për tavën e furrës gatuar bukur gjyshes i thuhet: «gjyshe, sot je artiste, e ke qarë!» (siç «qahet» një melodi e bukur me gërnetë)!

Mendoj, kritika jonë në tërësi ka qënë rrota e pestë e karrocës.-

-Letërsia në diktaturë ka dhënë gjëra të këqija, por ka dhënë dhe shumë të mira, kurse kritika kujtohet më shumë për keq. Në vënd që të lidhte për mirë krijuesin me lexuesin, lidhte krijuesin me shtetin. Shumica e kritikëve kanë qënë krijues të dështuar. Studimit të veprave ata i hynin nga dera e cila i kish nxjerrë jashtë si krijues. Në vënd që të gëzonin duke zbuluar të mira, gëzoheshin për zbulimin e së keqes. Ata u ngjanin eunukëve: e dinin si bëhej ajo «punë», por vetë nuk kishin fuqi! Për fat të keq, gjykimi i talentit ka mbetur ende në strukturat e kaluara të vlerësimit!..»

Ç'mund të thoni për zgjedhjet e 28 Qershorit? Nga ç'anë jeni?!-

-Nga ana e shqiptarëve e përsëris këshillën e Konicës: «O popull, e ke në dorë shpëtimin tënd! Në të pëlqen të vuash nga uria, sëmundjet e gjithë të ligat, dërgo në parlament hajdutët e larot. Në do bukë, shëndet e prehje, dërgo në parlament njerëz të mirë e të pastër»! Më tej atë të Nolit: «O shqiptarë shpirtluanë e mëndjefoshnjë! Gjithë bota e qytetëruar para se të japë votën, së pari do bindet se ç'ka bërë ky njeri gjer dje për t'i besuar se a mund të bëjë gjë sot». Dhe në fund, këshillën e Dekartesit nga lartësi Europe: «Nuk i duhet besuar njeriut që ju ka gënjyer një herë»!

KOMENTE