Elbasan 4 maj NOA - Antidroga e Policisë së Elbasanit çon në qeli dy persona pasi u kapen në flagrancë me një sasi lënde narkotike.
Burime nga policia thanë se mbrëmë konstatuan një 16-vjeçar në shkallët e një pallati në lagjen "Beqir Dardha" teksa po tentonte të shpërndante drogë.
Në momentin që është përballur me policinë adoleshenti ka hedhur një pako të mbështjellë me plasmas ku ndodhej një sasi prej 75 gram e dyshuar si heroinë.
Ai ka tentuar t'i shpëtojë përgjegjësisë por pavarësisht gjestit të tij, nuk ka mundur t'i evitojë prangat.
Ndërkohë që vetëm dy orë më pas antidroga e Elbasanit ka rënë në gjurmët e një tjetër personi të dyshuar si shpërndarës droge.
Një 26-vjeçar është vënë në pranga pasi në lagjen "Emin Matraxhiu" gjatë një kontrolli fizik nga policia ju gjetën dhe ju sekuestruan dy qese farmaceutike me lëndë bimore në gjendje të thatë rreth 5 gramë e dyshuar e llojit kanabis sativa.
k.k/NOA