Tiranë, 4 maj, NOA - Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka shtyrë për në datën 12 maj të ashtuquajturën "super-seancë" mbi gjykimin e tragjedisë së Gërdecit, për numrin më të madh të patur ndonjëherë të të pandehurve dhe peshës së rëndësisë së saj.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, seanca e parë ku do të gjykohej shpura prej 29 të pandehurish, të cilët akuzohen në mënyrë direkte dhe indirekte për tragjedinë e rëndë të 15 marsit 2008, u shty pasi disa prej tyre nuk ishin të pranishëm.
Edhe shumë avokatë mungonin në seancë, duke bërë që ajo të dështojë dhe t'i lihet afat një-javor për organizimin e saj.
Bëhet e ditur se seanca e sotme pranë saj ishte kryesisht me njohjen e akuzës ndaj të pandehurve dhe kryerjen e procedimeve të para gjyqësore sipas rregullave, për të vijuar më pas edhe me seancat e radhës.
Sikundër thuhej se do të ishin të pranishëm në sallën e këtij gjyqi, edhe tre të arrestuarit që janë ndaluar që pas momentit të shpërthimit.
Ata janë administratori i Alba-Demil Mihal Delijorgji, Drejtori i MEICO, Ylli Pinari dhe përgjegjësi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, Dritan Minxolli.
Por Pinari refuzoi të marrë pjesë në seancë.
Lista e gjatë e të pandehurve kryesohet nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha.
Në fillim akt-akuza ka qenë vetëm për 17 persona, por më pas rrethi i tyre u zgjerua, përgjatë hetimeve të kryera nga organi i akuzës.
Ndërkaq, në listën e 29 personave të akuzuar të këtij procesi gjyqësor, gjenden edhe tre persona, të cilët prej kohësh po mbahen nën arrest duke vuajtur dënim me burgim, edhe pse sot realisht është seanca e parë gjyqësore e cila po zhvillohet lidhur me këtë proces.
Më shumë se 30 veta janë cilësuar si të dyshuar nga prokuroria për këtë ngjarje, por vetëm këta të tre, janë arrestuar.
Nga ana tjerët, bëhet e ditur nga organi i akuzës se lista e dëshmitarëve përmban një listë prej 490 personash, 123 prej të cilëve janë punonjës të firmës "Albademil" të cilët kryenin demontimin e predhave dhe të fishekëve.
Bilanci i shpërthimit në Gërdec në 15 mars të vitit të kaluar ka qenë tragjik. Gjatë tij mbetën të vrarë plot 26 persona, ndërsa 300 të tjerë u plagosën dhe 3 mijë banesa të kësaj zone pësuan dëmtime të pariparueshme.
n.e/NOA