English

Kombi përmes Naimit

Nga Enis Sulstarova

Ti, Shqipëri më jep nderë, më jep emrin shqipëtar

Hyrje

Kombi si nocion politik u përhap në mbarë Evropën Lindore, si edhe në Shqipëri, në shek. XIX.

Nën ndikimin e ideve të iluminizmit dhe romanticizmit, si edhe të zhvillimeve të politikës ndërkombëtare në atë kohë, disa intelektualë të këtyre vendeve filluan të flisnin dhe shkruanin për kombin. Te shqiptarët bartësit e parë të tij ishin intelektualët në kontakt me idetë nacionaliste evropiane, si Naum Veqilharxhi, Zef Jubani apo Jeronim De Rada. Këta ishin pararendësit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Misioni që morën përsipër rilindësit në planin kulturor ishte pikërisht përhapja dhe ngulitja e përfytyrimit kombëtar në etninë shqiptare. Ky mision bie në sy sidomos në tekstet e figurës qendrore të Rilindjes, poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit. Vepra e tij ngërthen në vetvete elemente të kulturës, politikës e pedagogjisë dhe është e tëra në shërbim të idealit kombëtar. Kjo është vënë në dukje nga studiues të ndryshëm dhe ja si shkruan për këtë Eqrem Çabej: "Naimi është para së gjithash edukator. Poeti qëndron pas patriotit. Idealet artistike ia sakrifikoi kryesisht përpjekjes nacionale-politike…Sepse veprat e tij më fort së qëllimit artistik i shërbejnë një qëllimi etik. Këtij qëllimi, që të bashkojë kombin e tij, ta lartësojë këtë në pikëpamje morale dhe kulturore, poeti ia mbërriti". Një shikim i përmbledhur i përfytyrimit naimian të kombin shqiptar është i dobishëm tani në fillim të shekullit të ri kur janë intensifikuar përpjekjet kombëtare të shqiptarëve në shtetet ballkanike. Në mënyrë që këto përpjekje të mos kryhen të veçuara nga njëra-tjetra dhe që të mos largohen nga tipari i tyre kombëtar, siç po ndodh tani me përpjekjet për themelimin e një "kombi" kosovar, veprimtarët e tyre duhet të udhëhiqen nga përfytyrimi i një kombi të njësuar shqiptar. Kjo do të thotë se duhen rimarrë në shqyrtim tekstet e rilindësve, në radhë të parë ato të Naimit.

Përfytyrimi i kombit shqiptar

Udhëtimin tonë në tekstet e Naimit e nisim me poemën "Dituritë". Poeti pasi përmend krijimin e diellit, yjeve, tokës kontinenteve, kafshëve, etj. , hidhet tek ndarja e njerëzimit në disa raca, apo "farë" siç i quan ai. Raca e bardhë, sipas tij, ndahet në kombe, disa prej të cilëve janë përzierë edhe me raca të tjera. Pjesë e racës së bardhë ishin edhe pellazgët, pasardhës të të cilëve janë shqiptarët. Në krijime të tjera Naimi përsërit mendimin që kombi shqiptar është një bashkësi njerëzore që ka të përbashkët lidhjen gjenetike (gjakun), kulturën, gjuhën, besën te Perëndia, si edhe ardhmërinë. Kështu, p. sh. te poema "Parrajsa" ai shkruan: "Gjithë ç'jemi Shqipëtarë/ jemi një fis e një farë, / kemi të tërë një shpresë, / një gjak, një gjuhë, një besë".

Megjithëse prejardhja është një ndër tiparet e kombit shqiptar në përfytyrimin naimian, ai më shumë thekson gjuhën e përbashkët. Ai e bën këtë për arsye se gjuha shqipe ishte dalluesi kryesor kulturor i shqiptarëve nga joshqiptarët, ndërsa tiparet fizike nuk i dallonin ata prej fqinjëve. Tek E këndimit çunave këndonjëtoreja II, Naimi shkruan: "Xhdo komp ka gjuhën e vet. Gjuha është q'i ndan njerëzit në kombe. Gjithë njerëzitë që flasinë një gjuhë, janë vëllezërë, janë një komp, një zemërë, një vetijë e një zakon dhe një mëmëdhe". Vënia e bazave të shkrimit të gjuhës shqipe do të pengonte shkombëtarizimin e shqiptarëve prej kulturave të vendeve fqinjë që mbështeteshin nga kishat, aparatet shtetërore, programet e tyre ekspansioniste e shoviniste si edhe nga politika lëshuese e shtetit osman ndaj trysnive të huaja. Prandaj Naimi i kushtoi rëndësi të veçantë krijimit të gjuhës letrare shqipe, e cila sot nuk mund të mendohet pa ndihmesën e tij. Duke lexuar tekstet e tij, shqiptarët e sotëm e kanë të vështirë ta kuptojnë se shqipja e përdorur prej Naimit, kaq e ngjashme me gjuhën e sotme letrare, duhet t'ju jetë dukur "e re", madje "e huaj", brezit të parë të lexuesve.

Në lidhje me pozitën e individit përballë kombit Naimi shkruan se për individin qenia pjesëtar i një kombi është një domosdoshmëri në mënyrë që ai të quhet njeri dhe të marrë pjesë në racën njerëzore. Pra, ndjenja kombëtare duhet të jetë pjesë përbërëse e individualitetit: "Njeriu po s'deshi kombin e tija, / e mëmëdhenë, / nuk ka vend nga njerëzia, / s'do as vetëhenë". Kombi në kohët moderne zë një vend te rëndësishëm në jetën e individit edhe për arsye ekzistenciale. Në kohën moderne kur roli i feve fillon e zbehet, individi realizon dëshirën e tij për përmbushje të jetës dhe amshim me dedikimin emocional ndaj kombit e atdheut. Këtë mendim ka dashur të komunikojë Naimi kur në vjershën "Korça" ka vendosur vargjet: "Se njerëzit gjithë vdesin, / por jeta s'mbetet e shkretë, / gjuha, mëmëdheu mbesin/ të patundurë për jetë".

Përfytyrimi i kombit është domosdoshmërisht i lidhur me përfytyrimin e nje territori që i ka përkitur paraardhësve dhe gjithashtu i përket edhe atij dhe që emërtohet "atdhe" apo "mëmëdhe". Në një pjesë të poemës Bagëti e Bujqësi, Naimi me anë një fluturimi të përfytyruar nëpër të gjitha trojet shqiptare, e përkufizon mëmëdhenë që nga Çamëria e Labëria në jug, ngjitet në Korçë, Kostur, Prilep, Tetovë, Dibër, Gjakovë, Prishtinë e deri në Shkodër e Ulqin. Pra, ai ka përvijuar atdheun e shqiptarëve. Te teksti mësimor Istori e Shqipërisë Naimi përfshin në atdhe të gjitha trojet që quheshin në atë kohë me emrat Gegëri, Maqedoni e Toskëri; te Istori e Skënderbeut, gjejmë vargjet "Selanik e tatëpjetë/ është vënd' i Shqipërisë".

Për botëkuptimin nacionalist shqiptar, identiteti kombëtar zhvillohet si evolim dhe së fundi kapërcim i identiteteve më të kufizuar, siç janë fisi, krahina dhe feja. Gati kudo në tekstet e Naimit ndeshet kumti që ndarjet fisnore, krahinore dhe fetare nuk duhet t'i përçajnë shqiptarët. Një shembull mund të jepet nga "Fjal' e përjetshme": "Jemi një fis' e një farë, / por nukë jemi te ndarë, / gjithë një Perëndi kemi, " dhe më poshtë: "Fet' e besëtë t'i kemi, / po të ndarë të mos jemi". Edhe klerikët shqiptarë e besimeve të ndryshme duhet t'i shërbejnë bashkimit të kombit duke dashur dhe punuar për mëmëdhenë: "me dritët të Perëndisë/ t'i ndihinë Shqipërisë/ e të ngrenë shqiptarë/ të bëhet si ish më parë". Në poemën "Parrajsa" u bëhet thirrje sidomos priftërinjve ortodoksë shqiptarë që të mos t'i shërbejnë Greqisë, sepse Krishti nuk ka qenë grek dhe Greqia nuk është krijuese e krishtërimit. Ndërsa në Ligj e përjetshme e shqiptarëvet poeti ynë shkruan se "Gegë e Toskë janë emra vendi e mënyrë të foluri dy vëllezërve, është një, sikur themi Shkodran e Dibran, e Gorar e Lap e Çam, a Hasan, a Perikli a Dhimosten".

Mitet kombëtare      Â

Mitet janë rrëfime me bazë historike, por të ndërthurura me elementë legjendarë dhe etikë, me anë të të cilave anëtarët e një bashkësie njerëzore krijojnë lidhje të përfytyruara si mes tyre, ashtu edhe me brezat paraardhës dhe gjithashtu nxjerrin mësime apo vizione për të ardhmen e bashkësisë. Miti qëndron përtej së vërtetës dhe gënjeshtrës; që një mit të kryejë rolin e tij, nuk ka rëndësi saktësia historike e lëndës së mitit, por kumti që ai përcjell tek bashkësia. Mite të reja krijohen, dhe ato ekzistuese fitojnë peshë apo transformohen, në periudha zhvillimesh të vrullshme historike kur identitetet e deriatëhershme hyjnë në krizë. Në kohë të tilla, mitet janë instrumentalë në lindjen e identiteteve të rinj. Gjysma e dytë e shek. XIX ishte një periudhë e tillë për shqiptarët dhe si rrjedhojë ishte dhe koha kur u krijuan mitet kombëtare. Naimi është përpjekur të rrënjosë në vetëdijen e shqiptarëve një sërë mitesh kombëtare që do të paraqiten të grupuar sipas tematikës në: zanafilla, miti i shenjtërisë së territorit, koha e artë, koha e rënies, dhe ringritja. Duhet patur parasysh se kjo ndarje është thjesht analitike sepse realisht në veprat e Naimit mitet janë te ndërthurur me njëri-tjetrin.

Mitet e zanafillës fiksojnë në kohë dhe hapësirë fillesën e kombit. Kjo fillesë mund të ketë ndodhur në një kohë të pacaktuar historike dhe të jetë aq shumë e mbështjellë me legjendë sa fakti historik të jetë i pamundur për t'u zbuluar duke iu referuar vetëm mitit. Naimi dhe të tjerë rilindës pëlqyen mitin e pellazgëve si origjinë fillestare të kombit shqiptar për arsyen se ky mit, në sytë e tyre, jo vetëm i paraqiste shqiptarët si më të vjetrit në Evropën Juglindore, por edhe i lidhte ata me qytetërimin perëndimor. Në këtë mënyrë, miti i origjinës pellazge është njëkohësisht edhe mit i "djepit të qytetërimit".

Mitet e territorit shërbejnë për të lidhur shpirtërisht kombin me atdheun. Ato legjitimojnë pretendimet e kombit për zotërimin e territorit që i përket atij. Disa pjesë të gjeografisë së atdheut, më shpesh male, lumenj dhe qytete, përfytyrohen si më të shenjtë nga pjesa tjetër për shkak se mund të shënojnë sinorët e atdheut, mund të kenë të bëjnë me bestytnitë e njerëzve apo mund të lidhen me ngjarje historike. Në kujtesën popullore ose në krijimtarinë nacionaliste këto janë pika referuese për tërë atdheun ose kombin. Në botëkuptimin mitik të të Naimit, pika të tilla referimi të kombit shqiptar janë faltorja e pellazgëve në Dodonë, mali i Tomorrit- "ku rininë Perënditë"- apo Kruja- "qytet i bekuar"- kryeqendër e Skënderbeut. Ndërsa gjithë poema Bagëti e Bujqësi i është kushtuar qëllimit të mitizimit të atdheut, duke e paraqitur këtë si një vend të bukur, të begatë dhe me banorë të shëndetshëm, punëtorë e të virtytshëm. Kjo vepër është një himn romantik për atdheun dhe kombin shqiptar. Në të poeti thotë: "Ti, Shqipëri më ep nderrë, më ep emrin Shqipëtar".

Ka periudha të historisë së një kombi që quhen "kohë e artë", sepse përfytyrohet që atëherë kombi gëzonte liri, begati, qetësi dhe virtyte. Kjo kohë krahasohet me dekadencën e së tashmes dhe shërben si model për t'u përsëritur në të ardhmen. Për Naimin, koha e artë e Shqipërisë fillon që me pellazgët dhe vazhdon për shumë kohë, deri në ardhjen e turqve në Evropën Juglindore. Me mitin e kohës së artë ndërthuren miti i vlerave luftarake të shqiptarëve dhe ai i mbrojtjes së qytetërimit evropian. Figura historike që citon Naimi si shembuj të cilësive luftarake të shqiptarëve janë Aleksandri, Ptolemenjtë, Pirro, Teuta, Skënderbeu, Qyprillinjtë, Mehmet Aliu, Xhavela, Bubulina, etj. Nga leximi i "Parrajsës" del se trimat shqiptarë nuk u munduan vetëm për vete, por edhe për qytetërimin botëror, për lirinë e përparimin e popujve të robëruar: "Aleksandri dha lirinë/ e shpëtoj nga zgjedh Asinë/ i dha nder Shqipërisë, / mëmës së ti q'i dha sisë, / përkujdesi njerëzinë, / dhe pruri qytetërinë, / bëri udhë e qytete/ pru gëzim në gjithë jetë".

Koha e artë e shqiptarëve arrin kulmin e saj me bëmat e tyre nën udhëheqjen e Skënderbeut, i cili në veprën e Naimit qëndron mbi gjithë heronjtë e tjerë shqiptarë, aq sa fare mirë figurën e Skënderbeut mund ta quajmë si kryemitin e Naimit. Skënderbeu ishte më i përshtatshëm se të gjithë princat e tjerë shqiptarë për t'u shfrytëzuar prej nacionalistëve të Rilindjes, për shkak të kundërshtimin që i bëri për një kohë të gjatë pushtimit turk, për orvatjet e tij për një shtet të përqendruar shqiptar dhe për shërbimin që pretendohet se i bëri mbrojtjes së qytetërimit perëndimor. Rilindasit shqiptarë, bashkë me ta dhe Naimi, përfytyronin të kryenin me sukses atë që kishte nisur Skënderbeu pesëqind vjet më parë.

Naimi përfytyronte si "kohë të rënies" kombëtare periudhën e pushtimit osman të Shqipërisë. Sipas tij, kjo periudhë është kohë e rënies prej "kohës së artë" kur shqiptarët kishin shtetet e tyre të pavarura. Gjatë sundimit osman vërtet që shqiptarët nuk u nënshtruan asnjëherë, por ata duke u dhënë pas ofiqeve, gradave dhe trimërive në luftë, lanë pasdore atdheun e tyre, si edhe kultivimin e gjuhës amtare e nxënien e diturive. Tani kur perandoria po shembej, shqiptarët duhet të dëshmonin para botës se s'ishin komb më pak i vjetër dhe i qytetëruar se fqinjët e tyre, pra e meritonin të bëheshin të pavarur. Për t'u pranuar si të barabartë me kombet e tjerë të Evropës, ata duhet të zgjoheshin dhe të kujtonin kulturën, gjuhën, traditat dhe të parët e tyre. Nevojitej që shqiptarët të njihnin dhe të vëllazëroheshin me njëri-tjetrin dhe të bashkoheshin rreth një qëllimi të përbashkët. Detyrimisht, në veprën e Naimit, miti i rënies ndiqet nga ai i ringritjes.

Mitet e ringritjes i ngjajnë Janusit, zotit të dyerve te romakët, që kishte dy fytyra, njëra prej të cilave shihte para e tjera mbrapa. Kriza kapërcehet nga kombi duke kërkuar në të kaluarën e tij vlera dhe forca që t'i tregojnë rrugën që duhet të ndjekë në të ardhmen. Momentet e shkëlqimit, heroizmit dhe fitores në histori shërbejnë si modele për t'u përsëritur në kohën tonë. Kjo nuk do të thotë se nacionalistët me anë te miteve të ringritjes rreken të rikthejnë të shkruarën. Përkundrazi, ata përzgjedhin nga e kaluara e kombit ata elementë që nevojiten në kushtet e tanishme. Tradita ndërthuret me elementë të rinj për t'u bërë ballë problemeve të reja. Koha kur jetoi Naimit ishte për Evropën kohë e shndërrimeve të mëdha, ishte kohë e teknologjisë, modernizimit, arsyes, shkencës, diturisë; por ishte edhe kohë e konkurrencës midis shteteve, kohë e kolonializmit dhe e imperializmit. Që të mbijetonte një komb, duhej me doemos të modernizohej. Në proceset e modernizimit ishte e domosdoshme kultivimi i kulturës dhe arsimit kombëtar. Prandaj Naimi te "Gjuha shqipe" bën thirrje që trimëria tradicionale e shqiptarëve të kombinohej me arsyen dhe diturinë sipas nevojave të reja të kohës. E vetme, trimëria nuk bën më dobi: "O burra shqipëtarë/ të marrim dituritë/ se s'është koh' e parë/ tani lipsetë dritë". Naimi është kundër çdo lloj mesianizmi për botën, neve na duhet të mendojmë vetëm për vete dhe të përqendrojmë forcat për mbrojtjen dhe begatinë e vendit tonë. Kjo është porosia që u jep shpirti i Skënderbeut shqiptarëve në fund të Istorisë së Skënderbeut: "Mos mundohi më për botë, / këtë marrëzi e lini!/. . . /përpiquni për Shqipërinë!". Â Â Â Â Â Â Â Â

Mësime politike prej Naimit

Leximet sot të veprës së Naimit janë kryesisht i karakterit pedagogjik dhe letraro-gjuhësor. Leximi politik është lënë pasdore, edhe sepse politika shqiptare shumë pak bazohet në traditën e përcjellë nga Rilindja Kombëtare. Elita politike shqiptare shquhet për mungesën e vëmendjes ndaj çështjes kombëtare. Çështja shqiptare është parcelizuar sipas kufijve politikë, ku shndërrohet, sipas rastit, në çështje të të drejtave të njeriut, pakice etnike apo vetëm demagogji partiake. Nëse ndonjëherë ne shqiptarët do të përpiqemi të ndërtojmë një politikë kombëtare, gjëja e parë që duhet të bëjmë është t'i referohemi veprave të rilindësve. Si figura qendrore e Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri ka ç'të na mësojë në këtë drejtim.

Së pari, duhet të rimësojmë përfytyrimin e një kombi dhe atdheu. Shqiptarët kanë nevojë të mësojnë se si të veprojnë si një komb i vetëm. Pavarësisht prej kufizimeve institucionale brenda të cilëve janë të detyruar të veprojnë, ata duhet të udhëhiqen nga përfytyrimi kombëtar. Së dyti, në kohën tonë, sikurse në atë të Naimit, detyrë kryesore mbetet ruajtja dhe zhvillimi i kulturës sonë kombëtare. Ruajtja e trashëgimisë kulturore e historike shqiptare nuk duhet të synojë tërheqjen e turistëve të huaj që të shpenzojnë disa të holla për të provuar "ekzotikën" shqiptare, por, së pari, edukimin e brezit të ri, që të kapërcejë shfaqjet e sotme të inferioritetit kombëtar dhe të ksenocentrizmit. Së treti, politika shqiptare duhet të heqë dorë nga çdo lloj mesianizmi. Shqipëria nuk mund të pretendojë të ndihmojë në përhapjen e demokracisë nëpër botë pa ndërtuar më parë një sistem të qëndrueshëm demokratik për veten e saj: Nexhmedin Spahiu ka të drejtë kur thotë se "Shqipëria duhet të jetë demokratike, por jo dhe të pretendojë të bëhet zëdhënëse e demokracisë botërore, siç ishte dikur zëdhënëse e proletariatit botëror". Së fundi dhe mbi të gjitha shqiptarët nuk duhet t'i lëshojë zemra, por të punojnë e të shpresojnë se "Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë!".

KOMENTE