Tiranë, 4 Maj NOA - Nuk kanë të sosur paratë që po derdhen për rrugën që pritet të lidhë Durrësin me Kukësin, pasi një tjetër kredi është marrë sot nga qeveria shqiptare për të dhënë financimin e radhës ndaj kompanisë që ndërton rrugën.
Ministri i Financave Ridvan Bode nënshkroi sot pasdite marrëveshjen për kredinë sindikale me Alpha Bank dhe Deutsche Bank.
Ministria pohoi zyrtarisht se "kredia merret për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë financimin e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash".
Kjo kredi do të shpërndahet në dy transhe. Transhi i pare prej 95 milionë euro, do të disbursohet brenda muajit Maj.
Kurse transhi i dytë prej jo me tepër se 155 milion eurosh, që do të agregohet nga sindikata e gjerë, do të shpërndahet brenda muajit qershor.
Në transhin e parë, bankave rregulluese iu bashkua dhe Banka e Pireut (Tirana Bank) në rolin e Rregulluesit Kryesor të Bashkuar (Joint Lead Arranger) me një shumë prej 20 milionë eurosh, si dhe Banka Kombëtare Tregtare me një shumë prej 11 milionë eurosh.
Dikasteri i Financave tha se një numër i madh bankash të tjera, me aktivitet ndërkombëtar, por edhe lokal, kanë shprehur interes për t'u përfshirë në sindikatën e gjerë që do të disbursohet në formën e një transhi të dytë.
Për ministrin Bode, ky zhvillim "shumë pozitiv" tregon "edhe një herë besimin që institucionet financiare ndërkombëtare kanë në ekonominë tonë dhe në ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria".
Gjithashtu, Bode tha se marrja e kësaj kredie, "do të rrisë stabilitetin financiar në vend dhe do të zvogëlojë ndjeshëm nevojën e qeverisë për të financuar buxhetin nga tregu i brendshëm bankar".
r.l/NOA