English

Raporti i BE-së: Recesioni në Eurozonë, më i zymtë nga sa parashikohej

Bruksel, 4 maj, NOA - Bashkimi Evropian pritet të botojë sot një raport të ri për parashikimet në fushën ekonomike, i cili pritet të sugjerojë se parashikimi për vëndet që përdorin Euro-n si monedhë do të jetë më i zymtë sesa parashikohej në fillim të vitit.

Shifrat e reja tregojnë se Komisioni Evropian, ishte shumë optimist kur parashikoi se ekonomitë e eurozonës, do të tkurreshin vetëm me dy përqind gjatë këtij viti dhe do të shënonin një rritje të lehtë vitin e ardhshëm.

Shifrat e rishikuar pritet ta vendosin tkurrjen e ekonomive në shkallën e katër përqindëve dhe nuk parashikon rritje ekonomike për vitin e ardhshëm.

Megjithë lajmin e mirë që mbërriti para pak ditësh nga Grupi i të Shtatëve se kriza ekonomike ka filluar të zbutet, duket se kjo nuk qenka dhe aq e vërtetë për Evropën.

Ministrat e financave të 7 vendeve më të industrializuara në botë vlerësuan para pak ditësh se ka shenja që tregojnë se rënia ekonomike globale ka filluar të zbutet.

Gjatë një takimi të mbajtur në Uashington, ata parashikuan një rigjallërim të dobët që do të jetë i dukshëm gjatë muajve të ardhshëm. Megjithatë, ata u zotuan dhe premtuan angazhimin e tyre për të punuar së bashku për ta nxjerrë botën nga recesioni.

n.e/NOA

KOMENTE