Berlin, 4 maj NOA/DW - Numri i të huajve që kërkojnë të marrin nënshtetësinë gjermane është në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2000 numri i tyre ishte 187.000, në 2007 vetëm 113.000, ose rreth 40 për qind më pak.
Shifrat për vitin e kaluar ende nuk janë publikuar. Por deputetja e Partisë së Majtë Sevim Dagdelen ka kryer vetë hulumtime dhe ka përllogaritur se gjatë vitit 2008 numri i të huajve, që janë natyralizuar në Gjermani, ka rënë me 18 për qind.
"Kjo është groteske për vetë faktin që qeveria gjermane flet vazhdimisht për një vend integrimi, për një kulturë mikpritjeje dhe që mbështet natyralizimin. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Shumë njerëz as që bëjnë më kërkesën për të marrë nënshtetësinë gjermane, pasi kanë frikë se nuk do t'ia dalin mbanë, druhen se pengesat janë shumë të mëdha." - thotë Dagdelen.
Shumë të huaj nuk bëjnë më kërkesë për të marrë nënshtetësinë gjermane, pasi kanë frikë se nuk do të përballojnë testet.
Që prej vitit 2007 ka kërkesa shtesë për ata, që kërkojnë të marrin nënshtetësinë gjermane. Edhe të huajt nën 23 vjeç duhet të dëshmojnë se kanë të ardhurat e tyre. Edhe dënimet më të vogla të mëparshme mjaftojnë për refuzim të kërkesës dhe ekziston edhe testi i kontestuar për nënshtetësinë me 33 pyetje. Në këtë test nuk rrëzohet thuajse askush, gëzohet qeveria gjermane dhe konsideron të drejtë kursin e saj. Gabim, thonë kritikët. Shumë emigrantë nga shtresat pa arsimim as që e bëjnë fare kërkesën për nënshtetësi, pasi testi që duhet të kalojnë, i tremb.
I ngarkuari me integrimin në kryeqytetin gjerman, Berlin, Günter Piening, mendon: "Por këta janë pikërisht ata, të cilët duam t'i integrojmë në shoqëri. Migranti i arsimuar, që vendos me vetëdije, nuk bën pjesë në grupin problematik. Ne duam njerëz, që kanë qenë të pavendosur deri tani dhe që tani vendosin të bëhen pjesë e kësaj shoqërie. Pikërisht ky grup njerëzish trembet nga këto sinjale."
Testi i ri për gjuhën gjermane veçanërisht i padëshiruar
Veçanërisht i padëshiruar është në radhët e emigrantëve testi i ri për gjuhën gjermane, të cilin qeveria gjermane e ka vënë si kusht për natyralizimin. Tani nuk mjafton më të thuash se ku banon dhe kë njeh. Tani duhet të përshkruash ëndrra dhe të argumentosh pikëpamje. Veçanërisht për emigrantët më të moshuar, të cilët nuk kanë frekuentuar shkollat gjermane, kjo është shumë e vështirë, mendon i ngarkuari i Berlinit për integrimin, Piening: "Unë mendoj se për emigrantët e moshuar, ata të brezit të parë, duhet hartuar një rregull me kushte lehtësuese, që ata të mund të natyralizohen nën kushte më të lehta, me njohuri gjuhe më të pakta dhe të ardhura më të ulëta."
"Pa njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes këtu je vetëm një spektator"
Por megjithë numrin e pakët të natyralizimeve e ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin, Maria Bëhmer, nuk pranon t'i ulë sërish kërkesat. Politikania kristiandemokrate thotë se në turin e saj nëpër Gjermani ajo ka gjetur mirëkuptim për këmbënguljen e saj sa i takon mësimit të gjermanishtes: "Sapo kam marrë pjesë në Hamburg në një debat publik dhe një emigrant, që jeton prej më shumë se 30 vjetësh në Gjermani dhe që ndihet qytetar i Hamburgut, më tha se pa zotërimin apo njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes është këtu vetëm një spektator."
Rënia e numrit të natyralizimeve duhet analizuar më hollësisht, kërkon Bëhmer, sipas së cilës shkaqet janë të shumta. Një prej tyre është fakti që një grup i madh nuk shfaqet më në statistika. Që prej vitit 2000 fëmijët e të huajve, baballarët apo nënat e të cilëve jetojnë prej tetë vitesh në Gjermani, marrin nënshtetësinë gjermane qysh në lindje. Problemi është se ata mbeten gjermanë vetëm, nëse kur mbushin 18 vjeç, heqin dorë nga nënshtetësia e vendit të huaj. Ky model opsional mjaft i kritikuar i vë shumë emigrantë të rinj përpara një dileme morale. Por një njohje e përgjithshme e së drejtës për mbajtjen e më shumë se një nënshtetësie nuk është e mundur për shkak të kundërshtimit të partisë më të madhe në pushtet, CDU-së.
DW