English

Vrasja e deputetit Xhindi, fluks telefonatash në Policinë e Shtetit pas publikimit të shpërblimit

Tiranë 4 maj NOA - Shpërblimi prej 250 mijë euro për personin që do të jepte të dhëna të sakta në lidhje me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi ka pasuar me bum telefonatash në Policinë e Shtetit.

Gjatë 24 orëve të fundit, fill pas publikimit se Policia e Shtetit do të shpërblejë me një shumë të majme parash informatorin e saktë, ka bërë që të reagojnë shumë qytetarë të cilët kanë telefonuar në polici.

Persona të ndryshëm kanë telefonuar në numrat e vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit duke dhënë detaje nga më të ndryshme.

Burime nga policia thanë se të gjitha të dhënat e telefonuesve janë marrë në konsideratë dhe janë verifikuar por deri më tani asnjëra prej tyre nuk ka çuar hetuesit në motivin e saktë apo te autorët që ekzekutuan deputetin Xhindi dy net më parë, në oborrin e banesës së tij në Roskovec.

Vrasja e deputetit të PS Fatmir Xhindi po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila ka ngritur deri më tani disa pista hetimi.

Ndërkohë që burimet policore thanë se ende nuk është dhënë shpërblimi prej 250 mijë eurosh, pasi telefonuesit nuk kanë çuar policinë në zbardhjen e ngjarjes, apo identifikimin e autorëve.

k.k/NOA

KOMENTE