Uashington, 5 maj, NOA - Pesëmbëdhjetë kongresmenë amerikanë kërkojnë mbështetje për Maqedoninë nga shefja e diplomacisë amerikane Hillary Clinton.
Kongresmenët amerikanë përmes një letre dërguar shefes së diplomacisë amerikane, Hillary Clinton i bëjnë thirrje administratës amerikane që ta shqyrtojnë kontributin e Maqedonisë për stabilitet në Ballkanin Jugor dhe kontributin e saj në plotësimin e qëllimeve të politikës së jashtme amerikane në Afganistan, Kosovë dhe në Lindjen e Afërt.
"SHBA-ja duhet të vazhdojë t'i mbështesë miqtë tanë Greqinë dhe Maqedoninë të ulen bashkë dhe të merren vesh për rrugë të përbashkët drejt paqes, pajtimit dhe partneritetit në lidhje me Ballkanin jugor.
Shpresojmë se do të punojmë me Ju në të ardhmen me qëllim të arritjes së zgjidhjes së shpejtë dhe të drejtë për çështjet siç janë kontesti me emrin që të ketë stabilizim, prosperitet dhe barazi për të gjithë njerëzit në rajon", theksojnë kongresmenët amerikanë në letrën dërguar Clintonit. Në letër theksohet se më 5 prill popullata në Maqedoni e zgjodhi Gjorgje Ivanovin si president të shtetit dhe ai u obligua se do të punojë me Greqinë me qëllim të tejkalimit të dallimeve dhe deklaroi se zgjedhja e kontestit për emrin do të jetë prioriteti i tij i parë si president", thuhet në letër.
NOA-INA