Librazhd, 5 Maj/NOA - Â Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla dhe Kreu i G99 Erion Veliaj zhvilluan sot një manifestim të përbashkët në qytetin e Librazhdit në kuadër të turit "Rock dhe Politikë" që G99 po zhvillon në të gjithë Shqipërinë.
Ishte i pranishëm në këtë aktivitet edhe këngëtari Alban Skënderaj që pavarësisht shiut të shumtë që binte në qytet vazhdoi të këndojë këngët më të mira të albumit të fundit për qytetarët e Librazhdit.
Deputeti i PS Taulant Balla tha se "ka vetëm një njeri në Shqipëri aktiviteti i të cilit e ka çuar vendin në këtë gjendje ku është sot dhe ky është Sali Berisha".
Kurse shtoi: "Librazhdi dhe gjithë Shqipërinë, është një njeri i vetëm që ka 18 vjet që e gënjen dhe ky njeri është Sali Berisha".
Më tej, Balla tha se "ne sot kemi nisur një rrugë të vështirë, por të suksesshme për ta larguar përfundimisht nga politika Sali Berishën. Ndryshimi ynë i madh, ndryshimi juaj, i popullit të Librazhdit nga ky njeri, është fakti që ne nuk premtojmë ato që nuk bëjmë. Por, të jeni të bindur se pas 28 qershorit, Partia Socialiste do të bëj gjithçka që do të premtoj dhe ky është premtimi ynë më i madh për Librazhdin".
Ndërkohë, Veliaj e cilësoi këtë moment të shiut si të ngjashëm me këto 18 vjet për shqiptarët, por që pas shiut, siç edhe dihet, vjen një kohë me diell dhe kjo kohë, do të vijë, sipas tij, pas 28 Qershorit.
"Këto kanë qenë 18 vjet me një mot shumë të vështirë, me një mot me shi dhe 18 vjet të ftohta. Këto kanë qenë 18 vjet ngricë. Por a e dini çfarë? Pas çdo shiu të madh, vjen një diell i madh dhe vjen një pranverë e madhe dhe unë jam i bindur se në 28 qershor, rinia do të sjellë pranverën edhe në Shqipëri", - tha Veliaj.
a.k/NOA