Uashington, 5 maj, NOA - Mbi 1000 persona të prekur është bilanci i ecurisë së deritanishme të sëmundjes së gripit të derit në 20 vende të botës.
Shifra zyrtare është konfirmuar nga drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çen, e bëri këtë njoftim sot gjatë raportimit që bëri nga Gjeneva për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Këto komente ajo i bëri ndërsa Meksika njoftoi se do të rihapte restorantet dhe bizneset e tjera ditën e mërkurë duke thënë se kishte rënë rreziku i virusit. Meksika, epiqendra e sëmundjes, mbylli përkohësisht shkollat, restorantet si dhe bizneset e tjera në përpjekje për të ndalur virusin i cili gjithashtu është konfirmuar në Amerikën e Jugut dhe atë të Veriut si dhe në Europë dhe Azi. Ndërkaq, me shqetësim Çen tha se se sëmundja mund të kthehet edhe më e fortë. Ajo shtoi se pakësimi i numrit të vdekjeve brenda dhe në periferi të Meksikës nuk do të thotë se sëmundjes po i afrohet fundi.
Ajo gjithsesi tha se OBSH nuk parashikon një pandemi, por po përgatitet për mundësinë e shpërthimit të saj. Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun tha se organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka në plan ta rrisë edhe më shumë shkallën e rrezikut.
n.e/NOA