Tiranë 5 maj NOA - Në seancën e gjyqësore të radhës, për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, trupi gjykues ka dëgjuar dëshminë e ish-kreut të SHIK-ut të Lezhës në vitin 1997, Mark Frroku.
Në procesin gjyqësor që u zhvillua sot, Frroku ka dëshmuar se nga takimet me disa punonjës të bazës së SHIK-ut në Vaun e Lezhës kishte mësuar se atje ishin mbajtur dhe keqtrajtuar fizikisht disa persona.
Më tej ish-kreu i SHIK-ut të Lezhës Mark Froku tregoi se kishte takuar edhe Ziso Kristopullin i cili tashmë është një nga dëshmitarët kryesor të zhdukjes së Remzi Hoxhës.
Madje Frroku shtoi se Kristopulli i kishte treguar atij se ishte dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht.
Në dëshminë e tij dhënë sot para trupit gjykues ish-kreu i SHIK-ut të Lezhës Mark Frroku tregoi se kishte vënë në dijeni edhe shefin SHIK-ut të asaj kohe Fatos Klosin. Biznesmeni shqiptaro-maqedonas u zhduk në rrethana misterioze në vitin 1995, dhe për këtë akuzohen punonjësit e SHIK-ut.
k.k/NOA