English

Dita e Dëshmorëve, krerët e shtetit homazhe tek "Nënë Shqipëri" dhe Azem Hajdari

Tiranë, 5 maj, NOA - Dita e Dëshmorëve do të mbledhë së bashku krerët e lartë të shtetit për të nderuar duke u bërë homazhe të rënëve të luftës. Bëhet e ditur se pjesë e këtyre nderimeve do të bëhet edhe "Dëshmori i Demokracisë", Azem Hajdari, tek busti i të cilit kryeministri Berisha ka parashikuar të kryejë sot homazhe në nderim të figurës së tij.

Sipas të dhënave, në orën 10.00, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe drejtues të tjetë të lartë të shtetit do të vendosin kurora në monumentin "Nënë Shqipëri". Por homazhe në varrezat e dëshmorëve do të bëhen dhe nga përfaqësues të partive politike. Ndërkaq, bëhet e ditur se gjatë ditës së sotme kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë edhe në familjen e Azem Hajdarit, si dhe do të vendosë lule në monumentin e deputetit të vrarë të Partisë Demokratike. Por në axhendën e tij të sotme është parashikuar dhe një vizitë në familjen e heronjve Buzi. Dita e 5 Majit, njihet nga të gjithë, si dita e Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, vendosur si ditë e shënuar për kombin, nga pushteti komunist, në nderim të 28 mijë dëshmorëve të luftës 1939-1945. Pas viteve '90, ka kontestime të vazhdueshme mbi luftën e zhvilluar, duke ngjallur polemika deri dhe për datën e çlirimit, që nga mazhoranca aktuale shpërfillet ajo e 29 Nëntorit.

Ndërkaq, bëhet e ditur se pavarësisht kësaj dite, kryeministri nuk do ta ndalë turin e tij elektoral. Në ora 12.00 inauguron fillimin e punimeve në rrugën e Porto- Romanos, Spitallë.

n.e/NOA

KOMENTE