Shkrimtari i madh. "Ata të mos lodhen kurrë për vendin e tyre, nën shembullin e atdhetarëve të mëdhenj të Rilindjes, duke punuar për gjuhën shqipe, shkollën shqipe dhe kulturën shqipe".
Kur i bie ziles, porta kërcet dhe zëri i Sadies të fton të ngjitësh shkallët... Kur ngjitesh në kat, dera është e hapur... Kur bën hapin e parë brenda asaj shtëpie të thjeshtë në modelin e vjetër; përpara në këmbë, si manat shekullorë të njohur për rakinë devollite, si mal majëborë, përpara ke Dritëro Agollin. Sadia të vë përpara gotën e rakisë dhe filxhanin me kafen e nxehtë. Me Dritëroin e madh nis kuvendimi ...
Z.Dritëro, keni përpara librin "Rilindësit e kohës sonë" ku ju jeni pagëzues në emrin e tij. Do të desha një vlerësim tuajin, më tepër jo për librin, por për ata që janë heronj të tij, për të cilët ju keni thënë se "... këtë anë rilindëse të emigrantëve të hershëm e kanë shfrytëzuar apo e kanë përvetësuar emigrantët e sotëm duke vazhduar kohën e rilindësve që të punojnë për mëmëdhenë... "
- Të them të drejtën, mua m'u bë qejfi, ose të them më mirë, u gëzova që është shkruar një libër i tillë. Duke njohur këto anë të vendit ku ke jetuar dhe jeton akoma, ti si autor megjithëse në një vend tjetër, të ndihmojnë që të njohësh edhe veprimtarinë e bashkatdhetarëve që nuk janë këtu por janë në një vend tjetër, pothuajse të ngjashëm me atdheun ku ke lindur dhe ku ke jetuar.
Kjo ngjashmëri ishte në të gjithë anët, nuk them vetëm në një drejtim, me disa ndryshime të rëndësishme, por jo ndryshime që dallojnë aq shumë, fjala vjen si vendet aziatike apo qoftë edhe të dy Amerikave, të Amerikës së Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Latine, apo të ndonjë vendi tjetër të largët, apo të afërt si me Gjermaninë, Zvicrën apo Francën. Ne jemi kufitarë që jetojmë bashkërisht dhe kemi jetuar bashkërisht me fqinjët tanë; me grekërit, me maqedonasit, me malazeztë, me italianët, po veçanërisht me grekët.
Në këto vende, në përgjithësi kanë jetuar edhe rilindësit e hershëm tanë por edhe të sotshmit, atyre që ne u themi tani emigrantë, por jo refugjatë, që jetojnë në një vend tjetër, për kushtet edhe të vendit tonë.
Ata në këto vende ku ne jemi fqinj kanë zhvilluar gjithë atë veprimtari të madhe, dhe ndofta në ato vite më kryesore. Shqipëria atëherë dihet që ishte e pushtuar nga Perandoria Otomane, dhe është gabim t'i themi Turke, por Otomane, se otomanët ndryshojnë nga turqit. Turqit nuk janë pushtues tek ne por kanë qenë otomanët, paraardhësit e këtyre të largët nga të cilët u çlirua edhe vetë Turqia, me Ataturkun dhe të tjerët.
Në këto vende, siç thashë, kanë jetuar të gjithë ata që i kanë dhënë dritë Shqipërisë. Zëre që nga, bile edhe më përpara se sa Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Vaso Pasha, Ismail Qemali etj.
Ata kanë punuar edhe me libra, edhe me veprimtari politike për Shqipërinë, por edhe me oratori dhe me vetë organizimin e rilindjes së vendit.
Përse shpreheni dhe mbroni idenë se rilindësit e sotëm janë emigrantët? Ku e bazoni këtë qëndrimin tuaj?
- Tani mund t'i themi në një kuptim tjetër, rilindësit e rinj janë Emigrantët. Ata janë njerëz që janë shkolluar këtu në Shqipëri, por që kanë shkuar atje veçanërisht për arsye ekonomike dhe tek tuk edhe për arsye politike. Ata, nën shembullin e rilindësve të dikurshëm, kanë zhvilluar një aktivitet të vërtetë në lëmin kulturor, që ju përshkruani me hollësi dhe me ndjenjën e dashurisë, jo vetëm thjesht si sentimentalizëm, por me një ndjenjë përgjegjësie dhe sinqeriteti që këta edhe sot po japin atë ndihmesën në Shqipëri, jo vetëm thjesht në lëmin ekonomik.
Me atë punë që bëjnë ata ndihmojnë familjet e tyre, por edhe për të jetuar vetë atje, njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë popullin grek. Ata punojnë atje për të rritur edhe ekonominë e grekëve, përndryshe ata nuk do të ishin atje, sepse nuk do të kishte ndonjë interes ai vend ku janë shqiptarët për t'i mbajtur.
Ata derdhin djersën atje dhe ngrenë nivelin ekonomik të vetë Greqisë ku janë. Faktet tregojnë se është rritur niveli ekonomik i Greqisë me ndihmën e shqiptarëve që janë atje. Siç kanë bërë në kohën e revolucionit grek që një pjesë e madhe e shqiptarëve që kanë qenë në Greqi atëherë kur ishin kufijtë "brenda perandorisë" dhe u bënë udhëheqës të Revolucionit grek si Kolokotroni, Xhavella, Boçari, Bubulina, Miauli... Ata u bënë edhe deputetë në parlamentin e parë grek, bile flisnin shqip.
Në Nafplio ku u mbajt parlamenti i parë grek thonë që mbreti Othoni i cili para se të vinte në Greqi kishte mësuar shumë mirë greqishten, u çudit dhe u ndodh ngushtë kur dëgjoi në parlament të flitej një gjuhë krejtësisht tjetër nga ajo që kishte mësuar ai. Parlamenti i parë grek fliste shqip, fliste në gjuhën arvanite...
Në Greqi janë gjashtëqind mijë, disa thonë dhe tetëqind mijë emigrantë. Nuk numërohen.
Nuk numërohen se janë shumë. Domethënë se është një popullsi më shumë se një shtet, më shumë se Mali i Zi. Dyfishi. Po, është dyfishi i Malit të Zi, kështu që është një shtet i tërë. Nga këta, që janë kaq shumë, dalin edhe njerëz të atillë që përpiqen për të mos u asimiluar, që të mos harrojnë vendin e tyre.
Ky libër me titullin "Rilindësit e kohës sonë" ka si qëllim që ata të mbajnë jo vetëm kujtesën e Atdheut por të përpiqen që mbi këtë kujtesë të jetë veprimtaria e sotshme. Këta e pasurojnë kulturën shqiptare. Duke qenë kjo kulturë e formuar e Shqipërisë sonë këto gati njëqind vjet pavarësi, gjatë gjithë kësaj kulture që është formuar, tashti ajo pasurohet edhe nga ata që janë përtej kufijve. I shtohet edhe një rrjedhë tjetër këtij lumi të madh, i shtohet edhe një përrua dhe kjo e bën më të madh këtë lum sepse lumi krijohet nga burimet. Francezët kanë një proverb "Pika - pika bëhet lumi".
Këto janë ato ndihmesat e mëdha që unë do të thosha, që përveç përfitimeve të mëdha nga ato drejtimet e tjera që thashë, kemi edhe këtë të pasurimit të kulturës sonë, që ne shpesh e harrojmë, sepse me që ende Shqipëria nuk ka arrirë në atë shkallë sa të bëhet një vend me një nivel të lartë ekonomik që të jetë e pakët fare varfëria, se akoma këtu ka varfëri.
Kjo na bën që ta harrojmë ndonjëherë atë anën tjetër të kontributit kulturor. Atje ka edhe disa autorë, përveç jush që jeni baras me po këta gazetarë që jetojnë këtu dhe publicistë. Përveç jush ka edhe të tjerë, ka poetë, ka prozatorë të cilët prej andej botojnë libra me poezi, botojnë romane, botojnë përmbledhje qoftë edhe të artikujve të tyre, qoftë edhe të shënimeve, të librave historikë. Të gjitha këto, që edhe këtu në librin tuaj përmenden dhe shkruhen me një gjuhë të pastër po edhe me një informacion të gjerë, jo thjesht fjalë pa fakte.
Ju mbi këto fakte arsyetoni se gazetaria është arsyetim mbi fakte. Ju këtë e jepni me një profesionalizëm të bashkuar me sinqeritetin, me dashurinë për njerëzit edhe me atdhetarizëm. Këtu është edhe vlera e madhe e këtij libri.
Më 10 maj në Selanik do të bëhet një seminar me mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi. Cili është mesazhi juaj në adresë të këtyre mësuesve dhe nëpërmjet tyre të gjithë emigrantëve shqiptarë në Greqi?
- Edhe këto që thashë unë, e përmbajnë këtë mesazh. Veçanërisht dua të them që për këtë gjë që gjithë këta njerëz punojnë për bashkatdhetarët e tyre, meritojnë lavdërimet më të mëdha. Ata të mos lodhen kurrë për vendin e tyre duke ndjekur edhe shembullin e atdhetarëve të mëdhenj të Rilindjes por edhe të sotshëm dhe të punojnë për gjuhën shqipe, shkollën shqipe dhe kulturën shqipe, për t'u zhvilluar më tej edhe atje dhe të ruajnë edhe pastërtinë e gjuhës sonë. Të mos e përziejnë me fjalë të huaja të çdo gjuhe, veçanërisht në këtë globalizëm.
Edhe këtu është po ai fenomen, që mund të ndodhë edhe atje. Siç e shoh unë ata përpiqen më shumë për ta ruajtur pastërtinë e gjuhës se sa këtu, sepse këtu nuk ka ndonjë rrezik për tu zhdukur gjuha, kurse atje është rreziku dhe njerëzit, siç thotë një filozof frika e bën trim njeriun. Nga frika e shkatërrimit, e harrimit të gjuhës, përpjekja atje është akoma më e madhe se sa këtu. Po të shohësh gazetat, të shohësh tabelat e institucioneve, bizneseve, gjuhën e politikanëve, reklamat e televizioneve. Duhet të kesh fjalor përpara. Duhet të kesh fjalor dhe enciklopedi bashkë, për fjalët edhe termat. Gjuha këtu është një nga problemet më të mëdha. Unë i uroj ata që të mos ndjekin shembullin e keq të institucioneve që bastardojnë gjuhën shqipe. Në vend të themi, fjala vjen, u "rëndua gjendja" themi "u agravua situata". Vetëm u-ja është shqip "u agravua, u acarua, u rëndua". Situata është gjendja. Ja, vetëm u- në ke shqip. "U agravua situata", edhe grekët e kuptojnë, edhe italianët, edhe anglezët... E vlen që të këtu të bie theksi, ta ruajmë këtë shqipe sepse element kryesor i kombit është gjuha.
Grekërit janë shumë patriotë ndaj gjuhës së tyre.
- Grekët janë shumë konservatorë në futjen e fjalëve të huaja. Parlamentit ata i thonë Vuli, Nuk thonë ata parlamentar apo deputet por vuleftis. Ne duhet t'i themi kuvend dhe kuvendar dhe jo parlament dhe parlamentar apo deputet. Janë dy fjalë të huaja si edhe të tjera si këto. Ai shembull duhet të ndiqet
Cili do të ishte mesazhi juaj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, për mbrojtjen e fëmijëve në emigracion që të mos asimilohen?
- Rreziku më i madh është humbja e gjuhës nga fëmijët. Ne duhet që në familje të flasim shqip, se ke kohë të flasësh në gjuhën e huaj. Në familje duhet patjetër të flitet gjuha shqipe. Vetë shqiptarët që janë atje të përpiqen që të hapin shkolla, ashtu siç bëjmë ne këtu që edhe me tre veta, grekë në një vend, edhe ku nuk ka minoritarë, hapet një shkollë greke, edhe në Tiranë...
Në shtyp kishte një të dhënë që për katërqind nxënës në zonën e minoritetit grek kishte njëqind mësues.
- Duket ne kujdesemi shumë për ata që kanë kombësi greke, për të drejtat e minoritetit dhe të gjitha, bile ndonjëherë e teprojmë nga kjo anë.
Edhe ata vetë duhet ta kenë parasysh këtë gjë dhe ju mund të bëni një punë më të madhe edhe me shokët grekë që kini, të zini shokë të ngushtë, njerëz që i thonë edhe fjalët, njerëz që janë me të vërtetë demokratë që u shkon fjala dhe të bëhet problem se pse të mos ketë edhe shkolla shqipe.
Thamë që në Greqi janë gjashtëqind apo tetëqind mijë vetë, në Itali janë nja tre-katërqind mijë por edhe në vendet e tjera. Mbi një milionë shqiptarë janë jashtë. Veçanërisht me Greqinë dhe me Italinë ne mundohemi që të jemi më delikatë në këto anë. Ndonjëherë edhe të ruhemi shumë, të përulur sepse themi të mos i acarojmë gjërat, sepse mundet që qarqe të ndryshme të hakmerren ndaj emigrantëve tanë duke i shfrytëzuar keq ato kërkesat tona dhe prandaj duke u ruajtur kaq shumë ne bëjmë lehtësira. Duhet t'i ndihmojë emigrantët, me hapje shkollash, me libra e mjete mësimore, me gjithçka të nevojshme.
Bisedoi: Abdurahim Ashiku