English

"Ekspozim vullnetar", si miliona njerëz publikojnë në Facebook të dhënat personale

Tiranë, 5 Maj NOA/DW - Në sfondin e një sërë skandalesh që kanë ndodhur muajt e kaluar në Gjermani duke abuzuar me të dhënat personale, sot (e Martë) ka nisur në Berlin një konferencë dyditore për ruajtjen e sekretit të të dhënave personale.

Le të supozojmë, se takoni një njeri krejt të panjohur: në kafene, në metro, në një bulevard.

Ky i panjohur ju pyet, se ku banoni, a jeni i fejuar apo i martuar, apo çfarë bindjesh politike keni. "E ç´ju duhet juve kjo?", do të përgjigjeshit ju, si person real.

Por për shumë persona që depozitojnë profilet e tyre në internet një gjë e tillë konsiderohet mëse normale, si p.sh. në rrjetin "Facebook".Â

Kthehemi 25 vjet më pas, në fillim të viteve 80-të. Qeveria gjermane planifikoi asokohe numërimin e popullsisë. Për këtë qytetarëve iu shtruan disa pyetje personale:

Jetoni në apartament apo në shtëpi? Keni telefon? Çfarë profesioni keni?

Miliona qytetarë e quajtën një gjë të tillë si ndërhyrje në sferën private dhe krijuan qindra iniciativa qytetare kundër kësaj nisme të qeverisë.

Këto lëvizje patën sukses: më 15 dhjetor 1983 Gjykata Kushteteuese Gjermane e ndaloi numërimin e popullsisë, në mënyrën se si ishte planifikuar të kryhej ai.

Gjykata e argumentoi këtë me të drejtën themelore mbi privatësinë e të dhënave personale: Çdo qytetar ka të drejtë të vendosë vetë mbi publikimin dhe përdorimin e të dhënave personale.

A jeni beqar? Ku banoni? Ç'masë veshjeje keni?

Sot jemi në vitin 2009: E drejta për privatësinë e të dhënave personale vazhdon të jetë në fuqi.

Çdo njeri mund të vendosë vetë, se çfarë të dhënash dëshiron të publikojë. Vetëm se sot miliona njerëz nuk ruhen më për të publikuar të dhënat personale - përkundrazi në internet ata e bëjnë këtë vullnetarisht, në të ashtuquajturat rrjete sociale ose komunitete online.

Këto janë portale interneti, në të cilat kushdo mund të paraqesë profilin e vet, me fotografi, me tipare të karakterit dhe listën e miqve.

Në mbarë botën llogaritet që në të tilla rrjete sociale të jenë regjistruar një gjysmë miliardë njerëz. Facebook-u është njëri prej më të mëdhenjve me 200 milionë anëtarë. Pothuajse secili prej tyre i lejon të tjerët që të kenë akses në të dhënat e veta.

Çfarë lexoni ju? Cilat janë bindjet tuaja politike? Ç'lloj marrëdhënieje keni?

Në internet qarkullon një link për një video, përmes së cilës satirizohen praktikat e rrjeteve sociale si Facebook-u. Një folëse lexon me zë të akullt kushtet e sipërmarrjes Facebook-ut:

"Përmes paraqitjes së përmbajtjeve në faqe ju i garantoni autmatikisht Facebook-ut të drejtën e parevokueshme, të përhershme, të transferueshme, jo-ekskluzive, gratis dhe mbarëbotërore për përdorimin, kopjimin, prezantimin, realizimin, riformatimin, përkthimin dhe përhapjen e përmbajtjeve ose për përpunimin e përmbajtjeve derivate, apo inkorporimin e tyre në të tjera përmbajtje dhe për dhënien nën licencë të përmbajtjes paraprirëse."

Imazhet që shoqërojnë videon janë fabrika, në të cilat nga njëra anë depërtojnë të dhënat e përdoruesve dhe nga ana tjetër fluturojnë përmes oxhakut kartmonedha simbolike dollarësh. Më pas filmi vendos edhe një lidhje mes investuesve të Facebook-ut dhe shërbimit sekret CIA.

Teori komplotesh konspirative ose jo, fakt është, që Facebook-u mbledh sasi të mëdha të dhënash. Të dhëna me vlerë dhe të dhëna, ndaj të cilave sipërmarrja i siguron vetes të drejta masive.

Shumë ofrues të tjerë, që janë të varur prej kreativitetit dhe kontributeve të përdoruesve, kanë kushte të ngjashme.

Juristët megjithatë kanë dyshime, nëse delegimi kaq masiv i të drejtave ndaj të tretëve është i lejueshëm - të paktën sipas ligjit gjerman një gjë e tillë është me pikëpyetje.

Përdoruesit nuk e vrasin shumë mendjen për këtë. Në muajin shkurt Facebook-u donte t' i ashpërsonte kushtet e përdorimit.

Si reagim ndaj kësaj pati protesta dhe Facebook-u përpunoi një projekt të dytë, për të cilin përdoruesit duhet të votonin deri në fund të prillit. Pjesëmarrja në votim ishte 0,3 për qind.

DW

KOMENTE