Tiranë, 5 maj, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Martë, 5 Maj 2009. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al
Gazetat e sotme kryesisht kanë si argument të parë të tyre vrasjen e deputetit socialist, Fatmir Xhindi dhe pistat e hetimit rreth saj, hartimit të listave të deputetëve nga selia rozë, si edhe pasqyrimin e takimit të kryeministrit Berisha dje në Vlorë.
Gazeta "Shekulli", ka përdorur si një ndër argumentet kryesore "Pasuria e deputetit Fatmir Xhindi".
Sipas gazetës, deputeti zotëronte 10.9 dynym tokë, dy shtëpi dhe dy makina. Në llogarinë e tij rezulton gjithashtu edhe një borxh prej 6.6 milionë lekësh nga dy kredi bankare që nuk janë shlyer ende. Gjatë gjithë viteve, të ardhurat janë siguruar nga paga e tij si deputet i Kuvendit dhe paga modeste e bashkëshortes. Titull tjetër kryesor i së përditshmes "Shekulli" është "Demokristianët fusin Qetësorin në listën e deputetëve për Vlorën" Kurse ngjarja e Gërdecit zë një vend të rëndësishëm tek artikulli "Gërdeci, nis gjyqi i Mediut dhe 28 të tjerëve", ku trajtohet çështja e shtyrjes së seancës gjyqësore për procesin me numrin më të madh të të pandehurve.
Gazeta "Panorama", e ka trajtuar gjithashtu në mënyrë të gjerësishme çështjen gjyqësore të Gërdecit duke patur si shkrim kryesor "Gërdeci, nis me dështim procesi në Gjykatën e Lartë". Ai pohon sesi Kolegji i Gjykatës së Lartë shpalli shtyrjen e seancës së parë gjyqësore në ngarkim të 28 personave, pasi disa prej tyre nuk ishin të pranishëm.
Edhe në këtë të përditshme, vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi, ka zënë vend në faqen e parë me artikullin "Vrasja e Xhindit, Edi Rama i jep 48 orë afat Prokurorisë".
Një shkrim tjetër është edhe intervista me mjekun e Evner Hoxhës, i cili rrëfen ndër të tjera se nga viti 1980, shëndeti i ish-diktatorit iu besua Mehmet Shehut.
"Gazeta Shqiptare" ka si argument kryesor procesin e hartimit të listës së kandidatëve në Partinë Socialiste, trajtuar në kryeartikullin "Lista e deputetëve të PS-së, Rama i takon veç e veç, konfirmon kandidatët".
Brenda tij, tregohet sesi kreu i selisë rozë po përgatit ekipin për zgjedhjet e qershorit. Në listë janë një pjesë e deputetëve aktualë, ndërkohë që bëhet e ditur se ka prurje nga G99 dhe bota e artit. Deri tani nuk ka asnjë fjalë për kandidimin e kryesocialistit Edi Rama dhe kandidimin e Fatos Nanos. Ndërsa vrasja e deputetit Xhindi vjen përmes argumentit të ri, ajo e përjashtimit të vrasjes për pronat, thënë nga vetë vëllai i tij në artikullin "Vëllai i deputetit të vrarë: Policia gënjen, Fatmiri s'u ekzekutua për prona".
Për të vijuar me artikullin tjetër që zë vend në faqen e parë mbi çështjen e përfolur në Itali ditët e fundit për kryeministrin "Divorci i Berlusconit kushton 8 miliard euro".
E përditshmja "Koha Jonë" hapet me titullin: "Urdhri i Bodes: Kartat të shiten me 200 lekë". Ai flet mbi udhëzimin që ministri i Financave, Ritvan Bode publikoi dje për Postën Shqiptare, mbi aplikimin e detyrueshëm të saj të shitjes së kuponëve me çmim të reduktuar, për të gjitha kategoritë që përfshin vendimi i qeverisë.        Po ashtu, kjo e përditshme pasqyron edhe takimin e kryeministrit Berisha dje në Vlorë me artikullin "Berisha: Mandatin e dytë do t'ia kushtoj rinisë". Gazeta citon deklaratat e bëra nga kreu i qeverisë në Vlorë se "në mandatin e tij të dytë, Vlora do kthehet në një metropol evropian, për lëvizjen e lirë të të rinjve dhe të qytetarëve shqiptarë. Gazeta jep detaje të objektivave të kryeministrit për Vlorën "si epiqendër turistike e vendit. Nga sot, do të fillojë të ndërtojë parkun industriak dhe ka burimin e vet energjetik".
Një intervistë e kreut të Partisë së Myslimanëve veçohet në këtë gazetë përmes titullit "Jacaj: surprizat që sjell Partia e Muslimanëve", duke argumentuar se ata pretendojnë të kthehen në një forcë të rëndësishme politike në vend, për shkak të përfaqësimit në nivelin 70 % të popullsisë.
Kjo gazetë ka ndër argumentet kryesore të faqes së parë edhe atë të vrasjes së deputetit Xhindi, në artikullin "Vrasja e deputetit Xhindi, autori kërkohet në Kurjan".
Nga rubrika "Opinion" veçohet artikulli "Rruga në tatëpjetë e së majtës nga Dritan Haxhiraj, në të cilën argumentohet sesi "kriza aktuale ekonomike, në të kundërt të asaj që mendohej, nuk po favorizon të majtën në kontinentin evropian, përfshirë edhe të majtën shqiptare"
Gazeta "Standard" ka në qendër të saj artikullin "Berisha, mandati i ri nis me liberalizimin e vizave". Duke pasqyruar takimin e djeshëm të kryeministrit në Vlorë, artikulli sqaron sesi Kryeministri Berisha u ka premtuar të rinjve të qytetit se liberalizimi i vizave do të jetë objektivi kryesor për t'u arritur që në fillim të mandatit qeverisës. Ndërsa për vrasjen e deputetit Xhindi, në këtë gazetë thuhet se vrasësi i tij mund të jetë nga zona e Roskovecit në artikullin "Dyshimi, vrasësi i deputetit Xhindi, nga zona e Roskovecit".
Në faqen ekonomike, dy argumentat kryesorë që përmenden në këtë gazetë janë "Kredia 250 milionë euro: Bode nënshkruan, financohet dhe rruga Durrës-Kukës" dhe "Ndihma ekonomike: Drafti i ri, shtohen përfituesit".
Gazeta "Metropol" ka si argument kryesor shkrimin ekonomik "Bizneset, vendimi për faljen e kamatave". Ai bën të ditur skemën e re të mbylljes së gjobave të mbartura në vite. Nis debati dhe për amnistinë e aseteve të panjohura e të padeklaruara deri tani. Por në këtë gazetë një vend të rëndësishëm zë edhe procesi i hartimit të listës së deputetëve nga selia rozë përmes artikullit "Kandidatët: Rama formulon emrat".
Ndërkaq, në faqen e parë të kësaj gazete bie në sy edhe artikulli me titull "Qetësori i "Big Brother"Â kandidat për deputet".
n.e/NOA