Durrës 5 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në qytetin e Durrësit ku premtoi se në mandatin e ardhshëm do t'i japë varfërisë goditjen më të pamëshirshme.
Kryeministri Berisha përuroi edhe fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës Spitallë-Porto Romano.
Ndërkohë që në takimin me qytetarët, kryeministri siguroi se në 4 vitet e mandatit të dytë, në fokus të vëmendjes sërish do të jetë jeta dhe problemet e qytetarëve.
"Në të katër anët e Durrësit po bëhen investimet më të mëdha, se në çdo kohë tjetër.
Shqipëria me infrastrukturë moderne, me rrugë të reja, me ujësjellës dhe kanalizime, zero tolerancë ndaj varfërisë dhe mjerimit në Shqipëri." u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit, punësimi i qytetarëve do të jetë një nga objektivat më madhore të qeverisë.
"Gjatë këtij mandati, ne kemi punësuar rreth 80 mijë qytetarë shqiptarë. Unë ju premtoj se në mandatin e dytë do të punësojmë dyfishin e tyre. Lufta kundër varfërisë është një objektiv tjetër madhor. Në 4 vjet, ne nxorëm nga varfëria 200 mijë shqiptarë. Vetëm gjatë muajit maj, me dyfishimin e pensioneve në fshat, ne bëjmë që edhe 180 mijë qytetarë të tjerë, ndër të cilët 170 mijë në fshat dhe mbi 10 mije pensionistë me pensione të ndryshme në qytet, të marrin mbi 2 dollarë në ditë, pra, të dalin nga varfëria" u shpreh me tej kryeministri.
k.k/NOA