Tiranë, 5 maj/NOA-Update - Aksident rrugor me pasoja në njerëz ka detyruar policinë e kryeqytetit të ndërmarrin arrestime për dy persona të dyshuar si përgjegjës të ngjarjeve.
Specialistët e seksionit e Hetimit të Aksidenteve thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA, se kryen arrestimin në flagrancë të Mehmet Aliseni, 52 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Selitë, Tiranë dhe Ferdinand Shkalla, 33 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u krye sepse dje rreth orës 18.50, në Bulevardin "Bajram Curri", Mehmet Aliseni duke drejtuar automjetin tip "Benz", me targa TR 5489 N, pasi ka vazhduar lëvizjen pas hapjes së semaforit tek ura "Vasil Shanto", është goditur nga prapa nga automjeti tip "Benz 320", me targa TK 934 PX, drejtuar nga Ferdinand Shkalla.
Për pasojë të ndodhjes së këtij aksidenti, është përplasur këmbësorja Hafuze Balili, 82 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila në momentin e aksidentit ishte duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin.
E aksidentuara është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe më pas ka gjetur vdekjen.
Lidhur me këtë ngjarje, policia tha se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të dy burrave, do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
k.k/NOA